Shqipëria fitoi 0-2 ndaj Bjellorusisë, duke e mbyllur e para në grup. Gjë që do të thotë që edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, kuqezinjtë do të luajnë në Ligën B si dhe do të kenë një mundësi shtesë për t’u kualifikuar për në Euro 2028, përveç eliminatoreve që nisin vitin e ardhshëm.
Menjëherë pas kësaj fitoreje të Shqipërisë, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, përmes një postimi në rrjetet e tij sociale.
“Sonte duhet vetëm të festojmë! Një edicion fantastik i Nations League! Me përjashtim të humbjes në Helsinki, që për mua ishte e pamerituar, dua të falënderoj dhe të uroj çunat për paraqitjet e tyre, për karakterin e treguar në çdo sfidë, për dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, për dashurinë ndaj fanellës kuqezi dhe për përkushtimin nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.
Një falënderim dhe urim i veçantë edhe për stafin teknik, për përkushtimin dhe punën e bërë, që u reflektua në një Kombëtare më të fortë, më bindëse dhe me rezultate krejt të tjera nga ato të qershorit. Nga kjo skuadër presim të njëjtin karakter, të njëjtën dëshirë dhe të tjera suksese në vazhdim.
Sonte duhet vetëm të festojmë! Vendin e parë në grup, kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kombeve, ngjitjen në Ligën B dhe një rekord të ri për Kombëtaren tonë: 15 pikë të grumbulluara dhe plot 12 gola të shënuar në një edicion të Ligës së Kombeve!
Urime Shqipëri, urime shqiptarë! Sonte duhet vetëm të festojmë”, shkruan Duka.
The post “Sonte duhet vetëm të festojmë”, presidenti Duka reagon pas fitores së Shqipërisë dhe arritjes së objektivit appeared first on Telesport.
