VLEN dhe BDI kanë shkëmbyer akuza lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë maqedonas. VLEN pretendon se ish-funksionarët e BDI-së, kanë hapur rrugën për shitjen e aksioneve shtetërore në Stopanska Bankën – Manastir, e cila më vonë u mor nga Alta Banka. Nga ana tjetër, BDI ia atribuon përgjegjësinë për ardhjen e bankës qeverisë aktuale të VLEN-it, duke theksuar se leja është nënshkruar nga funksionarë të saj, përcjell TV21.
Reagimi i plotë i VLEN-it:
Artan Grubi personalisht e ka nënshkruar vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” – Manastir, si përfundim i një seance të Qeverisë ku kanë marrë pjesë Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi.
Pasi gjatë ditëve të fundit opinioni publik pa se si krushku i Ali Ahmetit përmes kompanisë “AS Senjak” kishte marrë kredi prej 5 milionë eurosh drejtpërdrejt nga Beogradi për t’ia shitur më pas aksionet e bankës së Manastirit manjatit serb në paraburgim Davor Macura, sot publikojmë provën e tretë, atë vendimtare.
Një provë që dëshmon se si lidershipi i BDI-së në mënyrë institucionale e kishte hapur rrugën për marrjen nën kontroll të “Stopanska bankës” – Manastir (sot Alta banka Maqedoni).
Para jush janë dy dokumente zyrtare shtetërore:
Procesverbali i seancës së 158-të të Qeverisë të mbajtur më 6 qershor 2023 dhe vendimi i publikuar në “Gazetën zyrtare” nr. 123 të datës 13 qershor 2023.
Ja se si funksiononte makineria shtetërore-partiake e Ali Ahmetit:
Më 6 qershor 2023 mbahet seanca e 158-të e Qeverisë të cilin e bashkëkryesojnë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe Dimitar Kovaçevski. Në tryezë është ulur i gjithë lidershipi politik dhe ekonomik i BDI-së: ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nën pikën 5 të rendit të ditës pikërisht në këtë përbërje, shqyrtohet Informacioni për shitjen e aksioneve në pronësi të Agjencisë për menaxhimin e pronës së konfiskuar dhe me konkluzionin nr. 6 merret Vendimi për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” SHA Manastir!
Dhe shikoni kush e nënshkruan këtë vendim: në “Gazetën zyrtare” nr. 123 nën Vendimin nr. 41-3733/8 për shitjen e aksioneve të “Stopanska bankës” SHA Manastir, figuron personalisht nënshkrimi i krahut të djathtë të Ali Ahmetit – Artan Grubi!
Të nderuar qytetarë,
Kur bashkohen të tri pjesët e këtij mozaiku i gjithë operacioni milionësh i BDI-së del në dritë:
Së pari: Artan Grubi në prani të Fatmir Besimit, Bujar Osmanit dhe Kreshnik Bekteshit në Qeveri merr vendimin dhe më pas e nënshkruan atë, duke i hapur rrugë nxjerrjes në shitje të aksioneve të konfiskuara shtetërore në “Stopanska bnka” – Manastir.
Së dyti: Në lojë hyn krushku i Ali Ahmetit përmes kompanisë “AS Senjak” i cili blen një pako aksionesh në të njëjtën pra “Stopanska bankën”– Manastir, ndërsa një kompani e lidhur me të tërheq kredi prej 5 milionë eurosh drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta bankës” në Beograd.
Së treti: Si aksionet shtetërore, shitjen e të cilave e mundësoi me nënshkrimin e tij Artan Grubi, ashtu edhe aksionet private të krushkut të Ali Ahmetit, përfundojnë në duart e Davor Macurës, manjatit kontrovers për marrjen nën kontroll të bankës!
Prandaj sot pyesim drejtpërdrejt Ali Ahmetin, Fatmir Besimin dhe Bujar Osmanin:
Vallë më 6 qershor 2023 kur Artan Grubi nënshkroi vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska banka” – Manastir në lidershipin e BDI-së ishte bërë plani që banka të përgatitej për marrjen nën kontroll nga “Alta banka” e Beogradit?
A ishte roli i Grubit, Besimit dhe Osmanit në Qeveri që institucionalisht t’i lironin aksionet shtetërore për shitje, ndërkohë që rrjeti familjar i Ali Ahmetit përmes “AS Senjak” grumbullonte pako private aksionesh dhe merrte kredi milionëshe nga Beogradi?
Këto dokumente nga “Gazeta zyrtare” dhe procesverbalet e Qeverisë janë dëshmia më e fortë se në rastin e “Alta bankës” nuk bëhet fjalë për transaksione të rastësishme afariste, por për një operacion të koordinuar në të cilin kanë marrë pjesë edhe funksionarët më të lartë shtetërorë të BDI-së edhe familjarë më të afërt të Ali Ahmetit.
I bëjmë thirrje Prokurorisë publike dhe Drejtorisë së inteligjencës financiare që ta zgjerojnë hetimin dhe t’i marrin në pyetje të gjithë ish funksionarët e BDI-së që kanë marrë pjesë në miratimin dhe nënshkrimin e këtyre vendimeve.
Shndërrimi i Qeverisë në shërbim të bizneseve milionëshe të familjes së Ali Ahmetit dhe të manjatëve rajonal duhet të ketë përgjegjësi penale!
____________________________________________
Reagimi i plotë i BDI-së:
U mbars mali, polli një mi!
E di se i zhyturi kapet për fije kashte, por gazetari maqedonas, me një pyetje të thjeshtë dhe të saktë, zbuloi se BDI e paska detyruar VLEN-in që të:
- Zgjedh Stoiljkoviqin;
- Sjellë Dodikun;
- Lejojë parakalimin e ushtrisë serbe në vendin tonë;
- Sjellë MTEL-in serb;
- Fusë botën serbe në raportin evropian;
- Ua vjedhë qytetarëve nga 10.000 € të premtuara;
- Ta heqë gjuhën shqipe;
- Ta përdhosë flamurin kombëtar;
- Ta nëpërkëmbë Marrëveshjen e Ohrit;
- Të mos i mbyllë kazinotë, bastoret, kreditë e shpejta dhe Megawinin;
- Të bëhet xhentëlmen dhe Lizë në botën e çudirave;
- Të mos e ndryshojë Kushtetutën dhe ta ndalë rrugën drejt BE-së;
- Të mos e realizojë asnjë premtim të vetëm.
Dhe, së fundmi, BDI e paska detyruar me sukses që ta nënshkruajë lejen për Alta Bankën serbe të Vuçiqit në Maqedoni.
Sot nuk u zhytën, por u mbytën!
Shteti, në kohën tonë, ua mori 20 milionë euro të akuzuarve në kuadër të rastit gjyqësor “Imperia”. Përmes Agjencisë shtetërore për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar, u vendos që këto pasuri të nxirreshin në shitje, por shitja u realizua vetëm pasi VLEN-i erdhi në pushtet, për t’a sjellur Alta Bankën, me nënshkrimin e Bujare Abazit!
