Ravenna përjetoi një pasdite të jashtëzakonshme falë Ronaldinhos. Stadiumi “Benelli” ishte plotësisht i tejmbushur, ndërsa entuziazmi u përhap edhe përtej Italisë, pasi ndeshja u transmetua deri në “Times Square”. Në tribunë ishin edhe ish-kampionët Nelson Dida, Serginho, Ariedo Braida, tenisti Fabio Fognini dhe Flavio Briatore.
Fituesi i “Topit të Artë” duhej të luante rreth 30 minuta, por qëndroi në fushë gjatë gjithë pjesës së parë. Ai përshëndeti tifozët me një përkulje para kurbës, dhuroi spektakël me veprimet e tij teknike dhe provoi të shënonte, por nuk e arriti golin e 300-të zyrtar në karrierë, me klube dhe kombëtaren.
“Nuk e di nëse ishte ndeshja ime e fundit. Nëse presidenti më telefonon, do të rikthehem. Më pëlqen gjithmonë të luaj futboll, – tha Ronaldinho për “Sky Sport”. – Ishte fantastike të takoja miqtë dhe të shihja të rinj që janë rritur duke më parë të luaj. Futbolli ka qenë gjëja më e bukur që kam pasur në jetën time”.
The post Ronaldinho magjeps Ravennën, 45 minuta spektakël: “Nuk e di nëse ishte ndeshja e fundit” appeared first on Telesport.
