Ka shqetësim te Barcelona lidhur me gjendjen e Pau Cubarsí. Mbrojtësi 19-vjeçar ndjeu shqetësime në zonën e ijeve gjatë ndeshjes mes Spanjës dhe Anglisë në Nations League. Qendërmbrojtësi i ekipit ‘blaugrana, i cili e nisi ndeshjen si titullar, nuk u rikthye në fushë për pjesën e dytë, duke ia lënë vendin Dean Huijsen.
Ky zëvendësim tërhoqi menjëherë vëmendjen për gjendjen e tij fizike. Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF) ka konfirmuar se Cubarsí ka pasur shqetësime në zonën e ijeve dhe se do të nevojiten ekzaminime të mëtejshme për të vlerësuar situatën.
Pas ndeshjes, trajneri Luis de la Fuente u përpoq t’i zbusë shqetësimet, duke shpjeguar se problemi nuk dukej serioz. Megjithatë, për momentin nuk ka ende një diagnozë të saktë dhe nuk dihet se sa serioz mund të jetë dëmtimi. Mbrojtësi pritet të kthehet sot në Barcelonë, ku do t’i nënshtrohet vlerësimeve nga stafi mjekësor i klubit.
Vetëm pas këtyre kontrolleve do të mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë thjesht për një shqetësim të lehtë, apo për një problem që do ta detyrojë lojtarin të qëndrojë jashtë fushave për njëfarë kohe. Trajneri Hansi Flick është në pritje të informacioneve të reja për një nga lojtarët e tij kyç në mbrojtje. Klubi katalanas shpreson që ai të rikuperohet plotësisht, pa pasoja afatgjata, përpara ndeshjeve të ardhshme.
The post Te Barcelona në ankth për Pau Cubarsi: Probleme fizike për mbrojtësin në kombëtare, sot testet mjekësore appeared first on Telesport.
