Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, ndodhet në një vizitë pune dyditore në Bruksel, përcjell TV21. Ai mori pjesë në Forumin për Zgjerimin e BE-së, të organizuar nga Komisioni Evropian, ku fjalime mbajtën eurokomisarja Marta Kos, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Më herët, kryeministri zhvilloi një takim me Gert Jan Koopman, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore pranë Komisionit Evropian. Në fokus të bisedimeve ishin perspektiva evropiane e Maqedonisë, përparimi në proceset reformuese dhe hapat e ardhshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pas takimit, Mickoski, përmes një postimi në Facebook, theksoi se përcaktimi i vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbetet i qartë dhe i padiskutueshëm, por se e ardhmja evropiane duhet të bazohet në marrëdhënie parimore, respektimin e interesave kombëtare dhe zbatimin e reformave.
