Pothuajse çdo e dhjeta foshnje në Maqedoninë e Veriut lind para javës së 37-të të shtatzënisë, duke e tejkaluar mesataren evropiane të lindjeve të parakohshme. Me rastin e Ditës Botërore të Foshnjave të Parakohshme, Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, prezantoi të dhënat për kujdesin neonatal dhe masat që planifikohen për përmirësimin e tij. Sipas të dhënave, në vend rreth 9 deri në 10 për qind e foshnjave lindin para kohe. Në nivel botëror, çdo vit lindin rreth 13.4 milionë foshnje të parakohshme, ose afërsisht një në dhjetë të porsalindur.
Drejtoresha e Gjinekologjisë, Irena Aleksioska-Papastiev, theksoi se prioritetet për periudhën e ardhshme janë parandalimi dhe zbulimi i hershëm i shtatzënive me rrezik të lartë; monitorimi i vazhdueshëm i rritjes dhe zhvillimit pas daljes nga spitali, me ekzaminime të specializuara në dispozicion dhe ndërhyrje të hershme, mbështetje për prindërit përmes informacionit në kohë, mbështetjes psikologjike dhe pjesëmarrjes aktive në kujdesin e fëmijës së tyre.
Në kuadër të modernizimit të Klinikës janë siguruar 13 inkubatorë të rinj, tre ngrohës për foshnja dhe një aparat ultratingulli me tri sonda, për vlerësimin e trurit, mushkërive dhe zemrës së të porsalindurve. Gjithashtu, po vazhdon rinovimi i repartit për foshnjat e lindura në afat të plotë.
