Maqedonia shënon 35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së shtetit të pavarur në Kuvend, kur vetëm dy muaj pas referendumit për pavarësi, me aktin më të lartë juridik u vunë themelet e demokracisë parlamentare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij theksoi se pas tre dekadave e gjysmë nga miratimi i Kushtetutës, sfida jonë tani është të kujdesemi për ruajtjen e asaj që është arritur, por edhe të synojmë avancimin e parimeve kushtetuese.

“Thirrja ime është që këtë 35-vjetor ta shohim si një angazhim të ri për demokraci më të fortë, institucione më të përgjegjshme, besim më të madh në gjyqësor dhe bashkëjetesë më të qëndrueshme. Kushtetuta duhet të jetë themel i stabilitetit, instrument për zhvillim dhe thesar në të cilin ruhen vlerat themelore të shtetit”, tha Afrim Gashi

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova tha se Kushtetuta nuk është e përsosur as pas këtyre 35 vjetësh. Si shembull, ajo përmendi edhe shpalljen e zgjedhjeve.

“Meqenëse kushtetutat nuk janë tekste të përsosura, gjatë këtyre 35 viteve ne tashmë jemi përballur me probleme që burojnë nga disa zgjidhje kushtetuese. Po ju them një gjë, më qesharakja. Askund zgjedhjet parlamentare nuk i shpall kryetari i Kuvendit. E keni të qartë pse, Kuvendi mund të jetë i shpërndarë, prandaj ato gjithmonë i shpall dikush tjetër, presidenti”, deklaroi Gordana Siljanovska-Davkova.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, porositi se respektimi i vlerave kushtetuese është akti më i lartë i patriotizmit.

“Ndërtimi i një shteti juridik, në të cilin sundojnë e drejta, drejtësia dhe barazia, është obligim i çdo gjenerate. Ky është mënyra më dinjitoze për ta respektuar amanetin e paraardhësve tanë dhe për të siguruar të ardhmen e brezave që vijnë pas nesh”, theksoi Darko Kostadinovski.
Gjatë tre dekadave e gjysmë të fundit, Kushtetuta ka pësuar tetë ndryshime me 36 amendamente, ndër të cilat më të rëndësishmet janë ndryshimet që dolën nga Marrëveshja Kornizë, si dhe ai për ndryshimin e emrit kushtetues në vitin 2019.