Një shkëmbim i papritur lojtarësh në horizont mes Juventusit dhe Monaco-s; sulmuesi amerikan Folarin Balogun mund të transferohet në Torino, ndërsa Edon Zhegrova mund të marrë drejtimin e kundërt, drejt klubit nga Principata.
Të dyja palët synojnë të zgjidhin problemet e tyre në fazën sulmuese dhe t’u ofrojnë dy lojtarëve, të cilët kanë pasur vështirësi për të gjetur hapësira loje, një mundësi të re për të rifituar formën e tyre më të mirë.
Sipas uebsajtit francez “Foot Mercato”, Monaco ka nisur bisedimet me Juventusin, në një kohë kur shtohen dyshimet rreth të ardhmes së Balogun-it në klub.
Trajneri Luciano Spalletti dëshiron të përforcojë vijën e sulmit me një sulmues të mirëfilltë, i cili mund t’i ofrojë skuadrës opsione shtesë.
Spalletti e vlerëson lojtarin amerikan, i cili gjithashtu duket i hapur për një sfidë të re me fanellën e “Zonjës së Vjetër”, pasi nuk arriti të gjente stabilitetin që shpresonte te Monaco.
Suedezi Alexander Sørloth kryeson listën e prioriteteve të Juventusit për sulmin, por Balogun mbetet një alternativë serioze. Ai mund t’i japë skuadrës një dimension tjetër në sulm, aq më tepër që nuk ka luajtur kurrë më parë në futbollin italian.
Një zhvillim interesant është se në marrëveshje mund të përfshihet edhe Edon Zhegrova. Ylli kosovar nuk është i kënaqur me situatën e tij te Juventusi; ai ndihet i zhgënjyer që është lënë jashtë formacionit titullar dhe dëshiron më shumë hapësira për të luajtur.
Monaco është në kërkim të një lojtari me karakteristikat sulmuese të Zhegrovës. Kjo e bën kalimin në futbollin francez një opsion të arsyeshëm për të dyja palët, veçanërisht nëse negociatat mund të çojnë në një shkëmbim që përfshin edhe Balogun-in.
Paga e Balogun-it, që sillet rreth 3.5 milionë euro në vit, duket e pranueshme për Juventusin. Megjithatë, klubi italian nuk dëshiron të marrë përsipër një rrezik të madh financiar pa qenë i sigurt se lojtari mund të përshtatet me kërkesat e Serie A.
Për këtë arsye, drejtuesit në Torino do të preferonin një huazim pa detyrim blerjeje. Kjo do t’u mundësonte atyre të vlerësonin nivelin e tij, përpara se të vendosnin nëse do ta blinin përfundimisht për një shumë që varion nga 45 deri në 50 milionë euro.
Balogun dëshiron të largohet, ndërsa Zhegrova kërkon të rifitojë vendin e titullarit të rregullt. Një shkëmbim mund të jetë zgjidhja ideale për të dy, me kusht që drejtuesit e Juventusit dhe të Monacos të arrijnë të kapërcejnë pengesat financiare dhe të gjejnë një marrëveshje gjatë afatit kalimtar të dimrit.
The post Zhegrova i përfshirë, Juventus planifikon shkëmbimin e bujshëm appeared first on Telesport.
