Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar publikisht pas publikimit të një liste ku pretendohet se figuron edhe emri i tij në mesin e personave që kanë përfituar pagesa nga BDI-ja.

Përmes një reagimi, Osmani i ka përgënjeshtruar kategorikisht këto informacione, duke theksuar se gjatë 20 viteve të angazhimit të tij politik në BDI nuk ka marrë asnjë pagesë nga partia.

“E përgënjeshtroj kategorikisht këtë informacion të pavërtetë! Në 20 vite angazhim politik në BDI, nuk kam marrë asnjëherë, as edhe një denar të vetëm nga partia. As pagë, as kompensim, as honorar!”, ka deklaruar Osmani.

Ai i ka bërë thirrje portalit që ka publikuar informacionin që ta tërheqë menjëherë emrin e tij nga lista, të bëjë përgënjeshtrim publik dhe të kërkojë falje.

Osmani ka paralajmëruar se, në rast se kjo nuk ndodh, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe dinjitetit të tij.

Në fund të reagimit, ai ka drejtuar edhe një kritikë politike ndaj VLEN-it, duke e cilësuar atë si një “kërcënim hibrid”.

Deri më tani, në reagimin e tij, Osmani nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me listën e publikuar, ndërsa kërkesa e tij kryesore mbetet përgënjeshtrimi publik dhe tërheqja e emrit të tij nga informacioni në fjalë.

The post Bujar Osmani demanton publikisht: “Në 20 vite në BDI nuk kam marrë asnjë denar! VLEN është shndërruar në kërcënim hibrid” first appeared on .