Rreth 11.000 familje të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë mbetur sërish pa sigurim shëndetësor, njofton Sindikata e Pavarur e Policisë. Problemi, sipas sindikatës, është shfaqur gjatë riaktivizimit në sistem të punonjësve të përfshirë në procesin gjyqësor për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan. Sindikata kërkon nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor zgjidhje urgjente, duke theksuar se kontributet shëndetësore u ndalen rregullisht nga pagat e punonjësve.
“Fondi i Sigurimit Shëndetësor duhet të gjejë zgjidhje për situata të tilla, për shkak të të cilave rreth 11.000 familje mbeten pa sigurim shëndetësor dhe nuk mund t’i realizojnë nevojat e tyre të rregullta shëndetësore”, tha Sindikata e Pavarur e Policisë.
Fondi i Sigurimit Shëndetësor njoftoi se po punohet intensivisht për zgjidhjen e problemit, duke sqaruar se statusi i të siguruarve përcaktohet automatikisht përmes të dhënave të pranuara nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Sipas Fondit, problemi lidhet me paraqitjen plotësuese të punonjësve për periudha të mëparshme, bazuar në vendime gjyqësore, çka kërkon harmonizimin e llogaritjeve dhe pagesave të kontributeve. Për këtë arsye është formuar një grup ndërinstitucional pune, i cili po shqyrton zgjidhjet e mundshme.
“Jemi të vetëdijshëm se situata të tilla shkaktojnë shqetësim të arsyeshëm te punonjësit dhe familjet e tyre. Prandaj, angazhimi ynë është i orientuar jo vetëm drejt zgjidhjes së problemit aktual, por edhe drejt krijimit të një mekanizmi afatgjatë që do të sigurojë më shumë siguri dhe vazhdimësi në realizimin e të drejtave nga sigurimi shëndetësor”, tha Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
Probleme të ngjashme me sigurimin shëndetësor të punonjësve të MPB-së janë regjistruar edhe më herët, përfshirë më 26 qershor dhe më 10 e 11 gusht të këtij viti. Në gusht, Fondi i Sigurimit Shëndetësor e lidhi problemin me paraqitjen plotësuese të punonjësve të kthyer në punë me vendime gjyqësore dhe mospërputhjet në evidencën e kontributeve, ndërsa MPB-ja pretendonte se të gjitha kontributet ishin paguar rregullisht. Pas koordinimit mes institucioneve, atëherë u njoftua se gjendja u normalizua dhe se do të gjendej një zgjidhje sistemore për të parandaluar përsëritjen e problemit.
