José Mourinho, përmes kujtimeve të atyre që e kanë përjetuar çdo ditë në dhomat e zhveshjes. Në dokumentarin e DAZN, “W/inning”, ish-futbollistë të tij rikthejnë kujtime nga karriera e portugezit, nga Interi i tripletës deri tek aventura e re te Real Madridi. Mes tyre, Mario Balotelli rrëfen marrëdhënien e veçantë me trajnerin luzitan:
“Mourinho ishte si një vëlla i madh për mua. Ndonjëherë ishte shumë i ashpër, sepse kam karakter të veçantë. Dinte të nxirrte më të mirën nga unë, jo gjithmonë me mënyra të buta. Më zemëronte dhe unë hyja në fushë duke menduar: Sot do të shënoj tre gola që ta bëj të heshtë. Pikërisht këtë synonte”.
Ai kujton edhe një episod në Verona, në janar 2010, përpara ndeshjes me Chievo. Mourinho u shfaqi lojtarëve një video të Balotellit duke luajtur futboll me miqtë në një park, në një ndeshje tre kundër tre: “Ishte si një trajner mendor. Përdorte lojëra psikologjike që të bënin të luaje dhe të jepje gjithçka për të”. Interi fitoi 1-0, me golin vendimtar të Balotellit në atë ndeshje.
“Kur Mourinho jepte konferenca shtypi, mblidheshim të gjithë për t’i ndjekur. Vdisnim duke qeshur, ishte fantastik”, – kujton ai. Balotelli e përshkruan Mourinhon me pesë fjalë: “Fëmijë, gjeni, i rreptë, argëtues dhe fitues”.
The post Nga videoja në park te provokimet e projektuara; Balotelli tregon si e ka mahnitur Mourinho appeared first on Telesport.
