
Rreth 2.000 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Zvicrës kanë nisur një stërvitje ushtarake disaditore në veriperëndim të vendit, me synim forcimin e mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe testimin e bashkëpunimit mes ushtrisë dhe autoriteteve civile të sigurisë.
Sipas transmetuesit publik Swissinfo, në manovra janë angazhuar tre batalione nga Divizioni Territorial 4, së bashku me njësi të tjera ushtarake. Stërvitja do të vijojë deri të martën e ardhshme.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së objekteve strategjike, përfshirë centralin bërthamor Gösgen, në kantonin Solothurn, si dhe depot e karburanteve.
Në stërvitje marrin pjesë edhe forcat policore kantonale të Aargaut dhe Solothurnit, ndërsa skenari simulon një situatë të tensionuar sigurie, në prag të një konflikti të armatosur, ku autoritetet civile kërkojnë mbështetjen e ushtrisë.
Gjatë manovrave, trupat po testojnë koordinimin ndërmjet njësive ushtarake, dislokimin në zonat operative, bashkëpunimin me policinë, vetëmbrojtjen dhe aftësinë për të ruajtur gatishmërinë operacionale për një periudhë të zgjatur.
Ushtria zvicerane bëri të ditur se qëllimi është testimi i funksionimit të sistemit të përgjithshëm të mbrojtjes, ndërsa rezultatet e stërvitjes do të shërbejnë për përmirësimin e trajnimeve dhe procedurave ushtarake.
