Pas çdo numri fshihet një jetë, një familje dhe një betejë e përditshme me një sëmundje që kërkon kujdes dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në Kërçovë, mbi 3 mijë persona jetojnë me diabet, ndërsa rreth 900 prej tyre janë të varur nga terapia me insulinë. Shifra këto që ngrenë shqetësim për përmasat që ka marrë kjo sëmundje. Bëhet fjalë për diabetin e tipit 1 dhe tipit 2, sëmundje që nuk kursen as moshat e reja.

“Për momentin në qendrën tonë për diabet e cila punon në kuadër të repartit të Internos kemi një statistikë sipas të dhënave të fundit nga “Termini im” dhe Qendra për shëndet publik – Manastir, përafërsisht në 2025 pacient me diabet janë rreth 3000 pacient me diabet të tipit 2 në nivel komunal në Kërçovë nga të cilët një pjesë janë në dietë, një pjesë janë me barëra dhe një pjesë janë terapi insulinë”, deklaroi Tanja Ilioska – Endokrinologe.

Shqetësues është fakti se diabeti nuk prek vetëm të rriturit. Në mesin e pacientëve në Kërçovë janë edhe rreth 10 fëmijë nën moshën 18-vjeçare me diabet të tipit 1, si dhe 10 gra shtatzëna që përballen me diabetin gestacional. Një realitet që dëshmon se kjo sëmundje po prek edhe grupmosha që kërkojnë kujdes të veçantë.

“Me terapi insulinë kemi 900 pacientë megjithatë nga ata pacientë janë me diabet tip 2 por aty hyjnë edhe pacientet me diabet të tipit 1 deri në 18 vjeç të cilët i bëjnë kontrollet në Klinikën e fëmijëve ne Shkup dhe janë rreth 10 pacient me diabet të tipit 1 dhe aty hyjnë edhe pacientet me diabet gestacid, diabet që fitohet gjatë shtatzënisë, dhe janë rreth 10 paciente, disa janë në terapi insulinë, disa në dietë ushqimore dhe disa me tableta”, shtoi Tanja Ilioska – Endokrinologe.

Nëntori shënon muajin e ndërgjegjësimit dhe luftës kundër diabetit. Por për ata që jetojnë çdo ditë me këtë sëmundje, beteja nuk zgjat vetëm një muaj. Për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nxitur kontrollet e rregullta, më 24 nëntor, para objektit të Internos në Kërçovë, gjatë orëve të paradites organizohen matje falas të nivelit të sheqerit në gjak për të gjithë qytetarët e interesuar.