Rrugë të ngushta, automjete të ndaluara kudo dhe kolona të gjata që ngecin lëvizjen e përditshme. Kaosi në trafikun e Tetovës mbetet një nga problemet më të mprehta, e që po thellohet edhe më shumë pasi qyteti prej katër muajsh nuk ka në funksion mjetin e karrotrecit. Policia thotë se ka shqiptuar rreth 2.500 gjoba për keqparkime, por gjobat vetëm sa ndëshkojnë pasojën, pa zhbllokuar rrugët në momentin që krijohet pengesa.
“Kryesisht problematikë të veçantë përbën edhe mungesa e mjetit special të marimangës, e cila e rëndon edhe më tepër punën në terren. Kështu që, në fakt, mundohemi ne si sektor të shfrytëzojmë tani rregullat e reja në komunikacion, ku gjatë regjistrimit të automjeteve, pra, është e detyrueshme edhe dhënia e numrit të telefonit dhe në sistem figuron numri i telefonit, kështu që bëhet pak disi edhe më e lehtësueshme gjetja e personit i cili e ka parkuar për një afat më të gjatë automjetin në linjë të dyfishtë apo në zonë të udhëkryqit, ku pengon rrjedhën e komunikacionit”, tha zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Edhe pse vetë policia pranon se mungesa e marimangës rëndon punën në terren, zgjidhja po mbetet te telefonatat dhe pritja që pronari i mjetit të vijë ta largojë atë, ndërkohë që trafiku bllokohet. Nga ana tjetër, nga Komuna e Tetovës thonë se marimanga e ndërmarrjes është në riparim dhe se pritet të rregullohet brenda javës, duke shtuar se për vitin e ardhshëm parashihet sigurimi i dy mjeteve të tjera.
“Sipas informatave që morëm nga parkingu i qytetit, marimanga e ndërmarrjes është në riparim. Ata na treguan se brenda javës do të rregullohet. Po ashtu, na informuan se vitin e ardhshëm sigurisht që do të ketë plan të ri për të siguruar edhe dy marimanga të tjera, të cilat do të jenë në shërbim të qytetit”, u shpreh Besarta Ramadani – zëdhënëse e Komunës së Tetovës.
Deri atëherë, qytetarët e Tetovës vazhdojnë të përballen me kaosin në komunikacion, në pritje që riparimi i premtuar brenda javës të kthehet në zbatim real në rrugët e qytetit.
