Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe ai i Shqipërisë, Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, në pikën kufitare të Qafë Thanës vunë në funksion mënyrën e re të funksionimit kufitar One Stop Shop, me çka do të lehtësohet ndjeshëm qarkullimi i ndërsjellë i udhëtarëve.

Mickoski, theksoi se ky sistem do të ketë ndikim pozitiv edhe në zhvillimin e turizmit në të dy vendet.

“Pres që kjo mënyrë e komunikimit të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare që kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, dhe në këtë mënyrë t’i rrisim më tej lidhjet ndërmjet qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, siç u tha edhe gjatë pjesës hyrëse të prezantimit, se si do të funksionojë e gjithë kjo, sistemi One Stop Shop do të sjellë vlerë të shtuar edhe në aspektin e rritjes së turizmit dhe potencialit turistik që kanë të dy vendet. Kur flas për të dy vendet, këtu mendoj për bregdetin e Ohrit, Ohërin dhe Strugën, si dhe komunat e tjera që gravitojnë në këtë zonë, e natyrisht edhe detin në Shqipëri”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Mënyra e re e kontrollit kufitar do të sjellë qasje më të thjeshtë dhe do të nënkuptojë lehtësim të procedurave kufitare dhe rritje të besimit ndërmjet dy vendeve, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Ne kemi një shprehje në gjuhën shqipe, nuk e di nëse e keni edhe ju në maqedonisht – beso, por edhe kontrollo. Deri më tani në këtë pikë kufitare ishte kontrollo, kontrollo, por nga tani do të jetë beso dhe kontrollo. Dhe hapi tjetër do të jetë beso, beso, që të jemi së bashku në hapin e radhës drejt BE-së”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Të dy vendet i bashkojnë edhe aktivitetet rreth ndërtimit të Korridorit 8, për të cilin si Rama, ashtu edhe Mickoski theksuan se është i një rëndësie kyçe për zhvillimin e rajonit. Mickoski shprehu optimizëm se i gjithë aksi do të përfundojë deri në vitin 2029.

“Ne tani jemi në një proces bashkëpunimi dhe pune të madhe të përbashkët në një projekt shumë të rëndësishëm, jo vetëm rruga drejt BE-së dhe NATO-s, por bëhet fjalë për projektin e Korridorit 8”, shtoi Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë.

“Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit është intensifikuar ndërtimi i segmenteve të autostradës që janë pjesë e Korridorit 8, për të cilin tashmë foli edhe miku im i dashur Edi Rama, i cili është një korridor i rëndësishëm për NATO-n. Te vendi i quajtur Trebenishtë kemi lënë një nyje ku duhet të vazhdojë ajo autostradë deri te pika kufitare e Qafë Thanës. Këtu e dini se ky perimetër aktualisht është, do të thosha, objekt i UNESCO-s dhe në përputhje me raportin e fundit të UNESCO-s duhet të kërkojmë një zgjidhje tjetër teknike”, potencoi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Me vënien në funksion të sistemit të integruar kufitar One Stop Shop, në të ardhmen kontrollet kufitare të të dy vendeve do të kryhen me një ndalesë, përkatësisht me një hyrje. Pritet që ky model i transportit ndërkufitar të vendoset edhe në pikat e tjera kufitare me Shqipërinë.