Një listë politike e mbështetur nga studentët në Serbi synon të ndërmarrë reforma në media dhe në fushën e të drejtave të punëtorëve, përfshirë kufizimin e programeve reality dhe promovimin e javës katërditore të punës.
Sipas The Telegraph, lista studentore, e cila ka siguruar 140 nga 250 ulëset në parlament pas zgjedhjeve të tetorit, synon të realizojë reforma të rëndësishme, me fokus në luftën kundër korrupsionit, reformimin e medias dhe ndryshimin e politikave ekonomike.
Reality show-t, maksimumi 45 minuta në ditë
Një nga propozimet më të debatueshme është kufizimi i programeve reality në televizionet me mbulim kombëtar. Sipas planit, këto programe nuk do të lejohen të transmetohen para orës 23:00, ndërsa kohëzgjatja e tyre do të kufizohet në maksimum 45 minuta në ditë.
Programet e njohura, si Elite, do të mund të vazhdojnë të transmetohen në platformat me abonim, por me kufizime të moshës dhe mekanizma të kontrollit prindëror.
Gjithashtu, televizionet do të detyrohen të ndërpresin transmetimin në rastet kur shfaqen skena dhune, kërcënime apo gjuhë urrejtjeje.
Përkrahësit e kësaj nisme argumentojnë se programet reality kanë kontribuar në normalizimin e dhunës dhe vulgaritetit në shoqëri.
Propozim për javë pune katërditore dhe 32 orë në javë
Përveç reformave në media, lista studentore synon të promovojë edhe javën katërditore të punës, me 32 orë pune në javë dhe pa ulje të pagave.
Plani parashikon gjithashtu kufizimin e punës jashtë orarit në maksimum tetë orë në javë, reduktimin e kontratave të përkohshme dhe ndalimin e kontaktimit të punonjësve nga punëdhënësit jashtë orarit të punës.
Këto propozime përfaqësojnë një ndryshim të dukshëm nga modeli ekonomik i ndjekur nga qeveria e mëparshme, i cili ishte i orientuar kryesisht drejt tërheqjes së investimeve të huaja përmes fuqisë punëtore me kosto të ulët.
Megjithatë, ekspertët shprehin rezerva për realizimin e këtyre ideve, duke argumentuar se një model i tillë mund të jetë më i përshtatshëm për ekonomitë e zhvilluara skandinave sesa për një vend me të ardhura mesatare si Serbia.
Sipas analistëve, zbatimi i reformave të tilla do të kërkonte përgatitje ekonomike, ndryshime strukturore dhe një vlerësim të kujdesshëm të ndikimit të tyre në tregun e punës.
