Shitja e Stopanska Bankës – Manastir te Alta Banka e Serbisë po shndërrohet në temë të përplasjes politike mes pushtetit aktual dhe atij të mëparshëm. Burime të mirëinformuara kanë deklaruar për Portalb.mk se gjatë mandatit të qeverisë së kaluar nuk është realizuar asnjë shitje e kësaj banke, ndërsa pretendimet e VMRO-DPMNE-së lidhen me një proces tjetër bankar.

Sipas burimeve, rasti i vitit 2023, të cilit i referohet VMRO-DPMNE-ja, ka të bëjë me aksionet që Maqedonia e Veriut zotëronte në Bankën Jugosllave për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JUBMES), në kuadër të procesit të sukcesionit të pronës së ish-Jugosllavisë.

Maqedonia e Veriut kishte marrë pjesëmarrje aksionare prej pak më shumë se 1 për qind në këtë bankë, si pjesë e ndarjes së pronës së përbashkët të shteteve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Pas privatizimit të bankës shtetërore serbe dhe marrjes së saj nga Alta Banka, kishte nisur procesi i blerjes së aksioneve nga shtetet pasardhëse të ish-Jugosllavisë. Sipas burimeve, autoritetet maqedonase nuk kishin dhënë pëlqim për shitjen e pjesës së tyre, por aksionet ishin blerë pavarësisht kundërshtimit.

Për këtë arsye, autoritetet e atëhershme kishin angazhuar Avokatin e Shtetit për të mbrojtur interesat e Maqedonisë së Veriut në Serbi.

Burimet theksojnë se ky proces nuk ka të bëjë me shitjen e Stopanska Bankës – Manastir, e cila, sipas tyre, iu shit Alta Bankës rreth dy vjet më vonë, gjatë mandatit të pushtetit aktual.

Në këtë debat përfshihet edhe VLEN-i, si pjesë e koalicionit qeverisës. Përderisa VMRO-DPMNE-ja përdor dokumentin për angazhimin e Avokatit të Shtetit si argument kundër qeverisë së mëparshme, shtrohet edhe pyetja se cili është qëndrimi i partnerëve shqiptarë në Qeveri për shitjen e Stopanska Bankës – Manastir dhe përgjegjësinë politike për këtë proces.

Nëse pretendimet e burimeve konfirmohen nga dokumentet zyrtare, atëherë lind pyetja pse VMRO-DPMNE-ja po i paraqet dy procese të ndryshme si pjesë të së njëjtës çështje dhe pse VLEN-i nuk ka dalë me një qëndrim të qartë për këtë rast.

Kështu, debati politik po zhvillohet rreth dy proceseve të ndryshme: aksioneve shtetërore në JUBMES dhe transaksionit për Stopanska Bankën – Manastir.

Për një pasqyrë të plotë të rastit, mbetet të publikohen dokumentet përkatëse dhe të sqarohet se kush i mori vendimet për secilin proces, në cilën periudhë dhe me çfarë përgjegjësie.

A do të kërkojë VLEN transparencë për shitjen e Stopanska Bankës – Manastir, apo do të heshtë përballë partnerit të saj qeverisës VMRO-DPMNE?

The post Portalb: Qeveria e kaluar nuk shiti Stopanska Bankën – Manastir, VMRO ngatërron dy procese të ndryshme first appeared on .