Një mjek dhe një infermiere të Ndihmës së Shpejtë janë sulmuar fizikisht nga një baba dhe djali i tij, pranë poliklinikës “Jane Sandanski” në Shkup.

Incidenti ka ndodhur më 21 nëntor, rreth orës 17:00, kur djali kishte kërkuar ndihmë urgjente për babanë e tij, i cili vuante nga një sëmundje onkologjike dhe, sipas informacioneve jozyrtare, dyshohet se kishte konsumuar antifriz me qëllim vetëvrasjeje.

Konflikti shpërtheu pas një mosmarrëveshjeje për transportimin e pacientit drejt Qendrës Klinike “Nënë Tereza”. Sipas raportimeve, babai dhe djali sulmuan mjekun dhe infermieren, duke u shkaktuar lëndime trupore.

Të dy punonjësit shëndetësorë morën trajtim në spital, ndërsa rasti është denoncuar në polici.

Shoqata e Infermierëve “Për Ne” dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi masa urgjente për mbrojtjen e personelit shëndetësor.