Kanë arritur mbi 26.000 doza shtesë të vaksinave kundër gripit sezonal, të cilat tashmë po shpërndahen nëpër pikat e vaksinimit në vend. Deri më sot, vaksinën kundër gripit sezonal e kanë marrë 28.035 qytetarë, ndërsa përmes aplikimit elektronik “Termini im” janë paraqitur gjithsej 79.011 persona, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë, janë caktuar 54.778 termine, prej të cilave 23.225 janë në pritje për t’u realizuar në periudhën e ardhshme.
Realizimi i termineve që tashmë kanë kaluar është 88,9 për qind. Vaksinimi është falas dhe zhvillohet në 31 pika vaksinimi.
Përparësi kanë personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç.
Nga Ministria e Shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve që i përkasin grupeve të rrezikut ta shfrytëzojnë mundësinë për vaksinim. Ndërkohë, qytetarët që kanë marrë SMS me termin, por nuk mund të paraqiten, ftohen ta anulojnë atë, në mënyrë që t’u mundësohet vaksinimi pacientëve të tjerë.
