Ministria e Punëve të Brendshme po punon për zbardhjen e plotë të rastit me letrën kërcënuese të gjetur në kabinetin e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se një person është ndaluar dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit. Bëhet fjalë për një burrë 46-vjeçar, i cili është identifikuar përmes video-mbikëqyrjes. Toshkovski paralajmëroi se MPB-ja dhe Prokuroria Publike së shpejti do të dalin me më shumë informacione. Për momentin, nuk bëhet e ditur përmbajtja e letrës, e as se kujt konkretisht i ishin drejtuar kërcënimet.

“MPB-ja po ndërmerr të gjithë hapat e nevojshëm lidhur me personin e dyshuar, po veprojmë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit. Mendoj se brenda një kohe të shkurtër do të dalim me informacione së bashku me Prokurorinë Publike”, tha Toshkovski