Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit një muaj Endrit Azemit, i dyshuar për veprën penale të mashtrimit se kinse është i sëmurë nga leukemia akute.
Sipas kërkesës së prokurorisë nga 9 deri më 21 nëntor, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat e tjerë se kinse është i sëmurë nga leukemia akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do t’i nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen.
“Më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 euro në rrjetin “GoFound” si dhe nga aktiviteti në Gjilan janë grumbulluar 26.684.8 euro , me çka të dëmtuarve, qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme. Shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 duke krijuar dobi pasurore për vete”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.
