Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqje pas kaosit të krijuar gjatë zhvillimit të njërit prej provimeve më të rëndësishme pranuese për universitetet në vend. Shkak për dorëheqjen janë bërë masat e papritura kundër kopjimit me ndihmën e inteligjencës artificiale, të cilat shkaktuan pakënaqësi dhe konfuzion te nxënësit dhe organizatorët.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, e ka pranuar dorëheqjen brenda më pak se një ore dhe ka urdhëruar një kontroll të hollësishëm të mënyrës së organizimit të provimeve kombëtare, si dhe rishikimin e rregullave ligjore që e rregullojnë këtë fushë.

Rregullat më të rrepta u vendosën pasi kandidati me rezultatin më të lartë në provimin kombëtar për kontabilistë tatimorë pranoi se kishte përdorur një kamerë të vogël, telefon celular dhe inteligjencë artificiale për të siguruar përgjigjet e sakta.

Gjatë testimit tetëorësh, qasja në internetin pa tela ishte e kufizuar, ndërsa mbikëqyrësit kontrollonin syzet dhe pullat e rrobave të kandidatëve për të zbuluar pajisje të mundshme elektronike të fshehura. Gjithashtu, ishin dhënë paralajmërime se do të kryheshin kontrolle më të rrepta të telefonave celularë.

Në provim, i cili ka rëndësi vendimtare për regjistrimin në universitetet më prestigjioze të Koresë së Jugut, morën pjesë më shumë se 550 mijë nxënës.

Ministri që dha dorëheqje pranoi se përgatitjet e pamjaftueshme dhe ndryshimet e shpeshta të rregullave kishin shkaktuar probleme serioze në organizim dhe kishin shtuar presionin ndaj kandidatëve.

Choi ishte përballur më herët edhe me kritika për deklaratën se, për shkak të moshës së tij, nuk ishte i sigurt nëse do të mund ta identifikonte përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë provimit.

Rasti ka hapur një debat më të gjerë në Korenë e Jugut për sigurinë dhe besueshmërinë e provimeve kombëtare, si dhe për sfidat që teknologjitë e reja po i paraqesin sistemit arsimor.