6 vite pas vdekjes së Diego Armando Maradonës, më 25 nëntor 2020, vëmendja është përqendruar te gjyqi historik që do të përcaktojë nëse 6 profesionistë të shëndetësisë mbajnë përgjegjësi për vdekjen e legjendës argjentinase. Vendimi pritet më 22 dhjetor.
Maradona u shtrua më 11 nëntor 2020 në një banesë private në Tigre, pranë Buenos Airesit, për të marrë trajtim mjekësor. 14 ditë më vonë u gjet i pajetë, pas rreth 12 orësh pa kontrolle mjekësore, pavarësisht përkeqësimit të dukshëm të gjendjes shëndetësore.
Gjyqi i dytë nisi në prill 2026, pasi procesi i parë u anulua për shkak të skandalit me gjyqtaren Julieta Makintach, e cila kishte marrë pjesë në realizimin e një dokumentari të paautorizuar gjatë gjykimit.
6 të akuzuarit janë neurokirurgu Leopoldo Luque, koordinuesja e kujdesit mjekësor Nancy Forlini, psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Díaz, infermieri Ricardo Almirón dhe koordinatori i infermierëve Mariano Perroni.
Prokuroria kërkoi 12 vite burg për Luque, 10 për Forlini dhe 8 për Cosachov. Për Díaz kërkoi 5 vite, ndërsa për Almirón dhe Perroni nga 4 vite burg. Akuza kryesore lidhet me neglizhencën dhe mangësitë në kujdesin shëndetësor të Maradonës.
Gjatë procesit dëshmuan më shumë se 70 persona. U evidentua një organizim i mangët i kujdesit mjekësor dhe mungesa e koordinimit mes përgjegjësve. Forlini akuzohet se kishte ndaluar infermierët, nën kërcënimin e pushimit nga puna, të komunikonin me mjekët personalë të Maradonës.
Vajza e tij, Jana Maradona, deklaroi për EFE: “Pas asaj që përjetuam në gjyqin e mëparshëm, kisha frikë, por ky proces ishte në lartësinë e duhur. Shpresoj që edhe vendimi të jetë i tillë dhe të më japë mundësinë të përjetoj zinë për babanë tim”.
Mjeku Pedro Di Spagna u shpall i pafajshëm më 22 tetor, pasi asnjëra palë nuk e mbështeti më akuzën ndaj tij. Vendimi për 6 të akuzuarit e tjerë pritet më 22 dhjetor.
The post 6 vite pas vdekjes së Maradonës, rritet pritshmëria për vendimin e gjykatës appeared first on Telesport.
