Buxheti për vitin 2027 paraqet një konfirmim të qartë të përcaktimit të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE për të vazhduar me menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, thotë deputeti i partisë në pushtet, Bojan Stojanovski. Siç shton ai, me propozim-buxhetin krijohen kushte për investime të reja dhe përshpejtimin e zhvillimit të shtetit, përparimin ekonomik dhe vende të reja pune.

“Investimet kapitale zënë vend qendror në Buxhet, për të cilat janë paraparë 40,8 miliardë denarë, përkatësisht rreth 663 milionë euro, mjete të cilat janë dedikuar për realizimin e projekteve që kanë rëndësi afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës në shtet. Gjithashtu, përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore janë planifikuar edhe 18 miliardë denarë investime, nga të cilat mbi 12 miliardë denarë janë projektuar për ndërtimin e akseve rrugore Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir, si pjesë e korridoreve strategjike infrastrukturore 8 dhe 10d”, tha Bojan Stojanovski.

Megjithatë, nga opozitarja LSDM kanë ardhur kritika. Ata thonë se ky buxhet nuk është aspak zhvillimor, ndërsa akuzojnë se pushteti nuk po pranon asnjë amendament të paraqitur nga opozita, madje as atë për pagë minimale prej 600 eurosh.

“Të mos harrojmë, kishim propozim për rritjen e pagës minimale në 600 euro. Edhe pse kemi një bindje se ata vetë do ta bëjnë këtë në njëfarë mënyre, do të shohim në periudhën e ardhshme. Por, duket se në këtë shtet propozimet kur vijnë nga opozita, paratë nuk vlejnë për qytetarët, ndërsa paratë nga shumica qeverisëse janë më të mira për qytetarët. Do të shohim në periudhën e ardhshme. Kishim një sërë amendamentesh të tjera që vërtet përfshijnë fusha serioze, për të cilat konsiderojmë se ky buxhet nuk i trajton, por rezultatin e patë”, tha Fatmir Bitiqi.
Prej disa ditësh në komisionin parlamentar po vazhdon debati me amendamente për arkën shtetërore për vitin e ardhshëm. Opozita ka paraqitur rreth 400 amendamente, ndërsa deri më tani nuk është pranuar asnjë.