Ish-lojtarit të Anglisë, Raheem Sterling, i është dhënë një dënim me burgim 12-mujor me kusht, për drejtim të rrezikshëm të mjetit dhe posedim të oksidit të azotit, pas një aksidenti në autostradë ku u përfshi një automjet i markës Lamborghini.
Në muajin shtator, në Gjykatën e Magjistraturës në Basingstoke, Sterling pranoi fajësinë për drejtimin e rrezikshëm të një Lamborghini Urus në rrugët M25, M3, A327 dhe Minley Road, përpara se të pësonte aksident më 28 maj. Dënimi është dhënë me një periudhë prove prej 18 muajsh.
Gjithashtu, atij i është ndaluar drejtimi i mjetit për dy vjet dhe është urdhëruar të kryejë 100 orë punë në dobi të komunitetit, pa pagesë. Për të pasur sërish leje drejtimi, Sterling do të duhet t’i nënshtrohet sërish provimit të drejtimit të mjetit.
31-vjeçari pranoi se posedonte gjashtë bombola me oksid azoti (të cilat klasifikohen si substancë e kategorisë C) për t’i thithur në mënyrë të paligjshme, si dhe pranoi se nuk kishte ofruar një mostër për testim.
Gjykatësja Kirsty Allman, mori parasysh disa rrethana lehtësuese: faktin që Sterling pranoi fajësinë, se nuk kishte dënime të mëparshme dhe se kishte një historik të pastër si drejtues mjeti para arrestimit të tij në muajin maj.
Ajo theksoi gjithashtu se mori parasysh pendimin e Sterlingu për sjelljen e tij, i dha rëndësi dëshmive mbi karakterin e tij, si dhe faktin se, jashtë karrierës futbollistike dhe larg syrit të publikut, ai është angazhuar gjerësisht në nisma bamirëse përmes “Raheem Sterling Foundation”, “RS7 Academy” dhe ofrimit të bursave të ndryshme.
Një tjetër rrethanë lehtësuese ishte fakti se, menjëherë pas arrestimit në maj, Sterling kërkoi ndihmë për varësitë dhe qëndroi për 12 ditë në një qendër trajtimi rezidenciale; gjykata e vlerësoi këtë si një “angazhim të sinqertë”.
Sterling shënoi 20 gola në 82 paraqitje për Anglinë, duke ndihmuar skuadrën e Gareth Southgate të arrinte në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalen e Euro 2020. Ai u formua në akademinë e QPR-së përpara se t’i bashkohej Liverpool, ku bëri edhe debutimin e tij në nivel profesionist.
Më pas u transferua te Manchester City në vitin 2015, ku fitoi katër tituj të Premier League, pesë Kupa të Ligës (League Cups) dhe Kupën FA (FA Cup) në vitin 2019. Në vitin 2022 ai u transferua te Chelsea, por pasi humbi vendin e tij në skuadër, e kaloi sezonin 2024/25 në huazim te Arsenal.
The post Ish-lojtari i kombëtares angleze dënohet me 12 muaj burgim me kusht për drejtim të rrezikshëm të makinës appeared first on Telesport.
