Reagime të ashpra, me thirrje dhe kundërshtime mes njëri-tjetrit, në seancën mbikëqyrëse parlamentare për Alta Bankën, në të cilën dëshminë e saj e dha presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Pyetjen e parë e parashtroi Sonja Mirakovska nga PRSD-ja, lidhur me atë nëse kishte pasur presione nga Mickoski apo nga VMRO-DPMNE për ta nominuar Trajko Sllaveskin për guvernator dhe nëse ndiente përgjegjësi pasi Alta Banka mori leje për të hyrë në vend.

“A keni pasur presion nga Mickoski për ta nominuar Sllaveskin për guvernator? Në krye të asaj Banke Popullore qëndron një njeri që është dëshmuar si partiak dhe më pas, në ndonjë rast tjetër, nëse nuk keni pasur, ndërsa unë besoj se keni pasur presion nga partia VMRO-DPMNE, e cila ju propozoi juve për presidente të shtetit”, tha Sonja Mirakovska.

Kush ju jep të drejtë të më pyesni diçka të tillë, tha presidentja Siljanovska, e cila u shpreh e tronditur nga mënyra e parashtrimit të një pyetjeje të tillë.

“Së pari, jam e tronditur se si guxoni të flisni në emër të publikut, në emër të qytetarëve. Më falni, çfarë legjitimiteti ju jep të drejtën për diçka të tillë? Ju mund të flisni për qytetarët brenda kufijve të legjitimitetit që keni pas vetes, po ju them. Së dyti, si guxoni, unë nuk e di, të më tregoni se si e kam zgjedhur, pse e kam zgjedhur”, tha Gordana Siljanovska Davkova .

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, e pyeti Siljanovskën se cila është kompetenca e saj konkrete për çështjen e Alta Bankës, për të cilën edhe vetë presidentja reagoi në fillim, duke thënë se nuk e sheh arsyen pse ishte ftuar në këtë seancë.

“Cila është kompetenca juaj konkrete, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, lidhur me temën për të cilën po mbahet sot kjo seancë mbikëqyrëse? A ka presidenti i Republikës çfarëdo kompetence ligjore në procedurën për dhënien e licencave bankare, dhënien e pëlqimit për pjesëmarrje të kualifikuar në një bankë?”, deklaroi Nikolla Micevski

“Për triadën Vuçiq – eventualisht Siljanovska – Mickoski, mund të them vetëm se është bizare. Dilemë bizare dhe fyese. Kompetenca ime dhe as kompetenca e Kabinetit nuk janë pjesë e çfarëdo procedurash që lidhen me sistemin bankar”, u shprej Gordana Siljanovska Davkova.

Në vazhdimin e sotëm të seancës mbikëqyrëse për Alta Bankën, i ftuar ishte edhe Trifun Kostovski, aksionari kryesor në Eurostandard Banka, i cili kryesisht foli për mënyrën e falimentimit të kësaj banke.