Profesori universitar Afet Mamuti ka reaguar ndaj propozim-ndryshimeve të Ligjit për Familjen, të iniciuara nga deputetët e ZNAM-it, me të cilat synohet rregullimi i qasjes në të dhënat e personave të birësuar.
Mamuti vlerëson se propozim-ndryshimet përbëjnë një hap pozitiv, por sipas tij, ato kanë nevojë për përmirësime të mëtejshme, në mënyrë që të garantohet realisht e drejta e personave të birësuar për të njohur origjinën e tyre biologjike.
Ai thekson se formulimi “qasja e kufizuar” nuk e përcakton qartë këtë të drejtë dhe kërkon që ligji ta njohë shprehimisht si të drejtë subjektive.
“Konfidencialiteti ndaj personave të tretë nuk duhet të nënkuptojë fshehtësi ndaj vetë personit të birësuar. Ligji duhet të njohë shprehimisht këtë të drejtë dhe të përcaktojë kushtet e kufizimit të saj, jo thjesht mundësinë e ‘këqyrjes së kufizuar’ të dokumentacionit. Mbrojtja e identitetit të prindërve biologjikë nuk duhet të shërbejë si arsye automatike për refuzimin e qasjes në të dhënat joidentifikuese”, shkruan mes tjerash Mamuti.
Profesori vë në pah edhe disa mangësi të tjera të propozimit, veçanërisht sa i përket qasjes në të dhënat mjekësore dhe gjenetike, kritereve për kufizimin e kësaj të drejte dhe kompetencave të organit që do të vendosë për kërkesat.
Sipas tij, kundërshtimi eventual i prindërve biologjikë nuk duhet të përbëjë veto absolute, por çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht, duke respektuar të drejtat dhe interesat e të gjitha palëve.
“Kundërshtimi eventual i prindërve biologjikë nuk duhet të ketë karakterin e një ‘vetoje absolute’. Çdo kufizim duhet të mbështetet në një vlerësim individual, në parimin e proporcionalitetit dhe në rrethanat konkrete të rastit. Njohja e origjinës biologjike duhet të jetë rregull, ndërsa kufizimi i kësaj të drejte duhet të përbëjë përjashtim, të përcaktuar me ligj dhe të justifikuar në bazë të parimit të proporcionalitetit”, tha Mamuti.
Mamuti kërkon gjithashtu afat prej 30 ditësh për vendimmarrje, vendime të arsyetuara dhe mundësi ankese e kontrolli gjyqësor.
Në përfundim, ai kërkon ndryshim të qasjes ligjore, duke theksuar se njohja e origjinës biologjike duhet të jetë rregull, ndërsa kufizimi i kësaj të drejte përjashtim, i përcaktuar qartë me ligj.
