Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka njoftuar se Goce Sedlloski nuk është më seleksionues i përfaqësueses së Maqedonisë. Nga FFM bëjnë të ditur se kontrata me të është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme.
Në njoftimin e Federatës thuhet:
“Ndonjëherë në futboll, pavarësisht përvojës, përkushtimit dhe qëllimeve të mira, gjërat thjesht nuk shkojnë ashtu siç dëshirojnë të gjithë. Konsiderojmë se në këtë moment, ndarja është zgjidhja më e mirë në interes të përfaqësueses, por edhe të Goce Sedlloskit, pa presion shtesë dhe komente negative, të cilat nuk duhet të jenë barrë për një njeri që ka lënë gjurmë të thella në futbollin maqedonas.
Goce nuk është vetëm një seleksionues që drejtoi përfaqësuesen gjatë një periudhe të caktuar.
Ai është një nga trajnerët më të trofeshëm, kapiten legjendar dhe njeri që prej vitesh është pjesë e historisë dhe zhvillimit të futbollit tonë.
Ndoshta momenti kur mori drejtimin e përfaqësueses nuk ishte ideal. Ndoshta pritshmëritë e larta, në raport me realitetin, rrethanat dhe rezultatet, nuk u përputhën me atë që dëshironim të gjithë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon meritën e tij dhe as kontributin që ka dhënë për futbollin”, thuhet në njoftimin e FFM-së.
Sedlloski u emërua seleksionues i ri më 22 dhjetor 2025, ndërsa debutimin e pati kundër Danimarkës, në gjysmëfinalen e ndeshjeve shtesë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ku Maqedonia pësoi humbje me rezultat 4:0.
Gjatë 10 ndeshjeve në krye të përfaqësueses, Sedlloski nuk arriti të regjistrojë asnjë fitore. Maqedonia shënoi dy barazime dhe pësoi tetë humbje, duke realizuar vetëm një gol.
Rezultatet e Goce Sedlloskit si seleksionues i Maqedonisë:
- 26.03.2026: Danimarkë – Maqedoni 4:0
- 31.03.2026: Irlandë – Maqedoni 0:0
- 29.05.2026: Bosnja dhe Hercegovina – Maqedoni 0:0
- 01.06.2026: Turqi – Maqedoni 4:0
- 26.09.2026: Maqedoni – Zvicër 0:3
- 29.09.2026: Slloveni – Maqedoni 2:0
- 03.10.2026: Maqedoni – Skoci 0:2
- 06.10.2026: Zvicër – Maqedoni 3:0
- 13.11.2026: Skoci – Maqedoni 2:1
- 16.11.2026: Maqedoni – Slloveni 0:3
Bilanci i përgjithshëm: 10 ndeshje, 0 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. Diferenca e golave: 1:23.
