Gjatë ceremonisë së hedhjes së shortit të Kampionatit Europian U-21 2027, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, ku ka vlerësuar rëndësinë e këtij kompeticioni për futbollin shqiptar dhe mundësinë historike që ai përfaqëson për Shqipërinë, e cila do të jetë bashkëorganizatore e këtij eventi madhor së bashku me Serbinë.
Presidenti Duka e ka cilësuar organizimin e EURO U-21 2027 si një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se gjatë muajit qershor 2027 vëmendja e futbollit europian do të përqendrohet te Shqipëria dhe Serbia.
“Jam shumë i lumtur që përfaqësoj futbollin shqiptar në një event shumë të rëndësishëm për futbollin europian në përgjithësi. Kampionati Europian U-21 është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm që organizon UEFA për ekipet kombëtare, pas atij të ekipeve A. Për Shqipërinë gjithashtu është hera e parë që ne marrim përsipër të organizojmë një kompeticion të niveleve kaq të larta. Në qershor, kur do të luhet ky kampionat, ndeshjet e klubeve do të kenë përfunduar dhe e gjithë vëmendja e opinionit futbollistik europian dhe më tej do të përqendrohet në Shqipëri dhe Serbi për të ndjekur ekipet dhe talentet e reja të së ardhmes së futbollit europian.
Për ekipin tonë Kombëtar është hera e parë që marrim pjesë në një event të tillë të rëndësishëm. Është hera e parë që futbollistët tanë të rinj do të përballen me më të mirët e Europës. Unë ju uroj shumë atyre që të marrin eksperiencën e duhur dhe ta shfrytëzojnë këtë moment historik për karrierën e tyre futbollistike.
Gjithashtu edhe për fëmijët dhe të rinjtë e Shqipërisë dhe Serbisë, ky është një event që do t’u shërbejë shumë. Do t’u shërbejë shumë për rritjen e tyre. Çdo fëmijë, çdo i ri që do të marrë pjesë në këto ndeshje futbolli do të motivohet akoma më shumë për të luajtur futboll dhe pse jo, do të ndërtojë ëndrrat e tij për të qenë një ditë si këta yje që sheh në fushë. Por ne kemi përgjegjësinë dhe detyrën që t’u krijojmë kushte këtyre të rinjve dhe pikërisht fushat që kemi ndërtuar për këtë kampionat europian, stadiumet që kemi rinovuar do t’i trashëgojnë këta fëmijë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe Serbi.
Bashkëorganizimi i këtij kampionati bashkë me Serbinë ka gjithashtu një domethënie të veçantë. Është detyra jonë e të dy federatave që kemi marrë përsipër këtë përgjegjësi për të treguar që vërtet i ka shërbyer vendeve tona. Ta organizojmë sa më mirë këtë Kampionat Europian dhe t’i bëjmë të gjithë të ndihen të mirëpritur në Shqipëri dhe Serbi.
Ne kemi eksperiencën organizative. Kemi organizuar shumë turne Europianë. Kemi organizuar për herë të parë finalen e Conference League në Tiranë, kemi organizuar kampionatin Europian U-17 në vitin 2025. Por një kampionat të tillë, të këtij niveli ne e dimë që do shumë punë. Por, me eksperiencën, me përkushtimin dhe me shumë punë, besoj që do të jemi të suksesshëm. Uroj që çdo futbollist, çdo skuadër, çdo tifoz që do të marrë pjesë të ndihet si në shtëpi, të ndihet mirë. Futbollistët të kenë kushte sa më të mira për t’u stërvitur dhe për të luajtur dhe ata që do të vizitojnë për herë të parë vendin tonë të bukur, Shqipërinë, të ndiejnë dëshirën për t’u kthyer përsëri”, – tha Presidenti Duka.
The post “Një kompeticion historik për ne. Dua që të kthehen përsëri pasi të vijnë në Shqipëri”, fjalimi i presidentit Duka gjatë hedhjes së shortit appeared first on Telesport.
