Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kritikuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin, për vonesën në procedimin e ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, të dorëzuara në Kuvend në gusht. Organizatat qytetare e vendosën Gashin në “murin e turpit”, duke kërkuar përgjegjësi dhe një afat konkret për shqyrtimin e ndryshimeve.

Sipas tyre, gjatë vitit 2026 janë regjistruar shtatë raste të femicidit, përfshirë edhe raste kur dhuna ishte raportuar paraprakisht. Pas kritikave, Gashi deklaroi se propozim-ndryshimet janë dërguar për mendim në Qeveri dhe se do të procedohen në Kuvend sapo të merret përgjigjja. Ndërkohë, organizatat kërkojnë moratorium për aktivitetet protokollare të institucioneve gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm”, duke kërkuar në vend të tyre masa konkrete, përgjegjësi institucionale dhe financim për mbrojtjen e grave.