Më shumë se 26 mijë qytetarëve duhet t’u kthehen 140 milionë denarë ose rreth 2,3 milionë euro, për shkak të arkëtimit të paligjshëm të provizioneve, shpenzimeve për vërejtje dhe vonesave në shlyerjen e kredive të shpejta. Kjo është konstatuar nga kontrollet inspektuese të kryera për periudhën nga viti 2023 deri në këtë vit, 2026. Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vllatko Stojkovski, thotë se për kompanitë e kredive të shpejta janë caktuar edhe gjoba në të holla.
“Shoqëritë financiare kanë urdhër që brenda afateve prej 30, 60 dhe 90 ditësh të veprojnë dhe t’ua kthejnë mjetet qytetarëve. Pas kësaj, do të pasojnë kontrolle mbikëqyrëse nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Gjobat, varësisht nga specifikat e secilës shoqëri financiare dhe dispozitat e ndryshme, caktohen sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, por ato variojnë nga 2 deri në 10 mijë euro për një masë. Një shoqëri financiare ka shkelur tri dispozita dhe ka tri masa, ndërsa shuma e gjobave sillet nga 2 deri në 10 mijë euro”, tha Stojkovski.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, paralajmëroi se nëse shoqëritë financiare nuk veprojnë sipas vendimeve të lëshuara, ekziston mundësia që ato edhe të mbyllen.
“Nga kontrollet e kryera duhet t’u kthehen paratë qytetarëve, mbi 140 milionë denarë, dhe në periudhën e ardhshme, nëse të gjitha këto shoqëri financiare nuk i informojnë qytetarët dhe nuk ua kthejnë paratë, natyrisht se, në kuadër të ligjit, do të veprojmë deri në mbylljen e tyre”, deklaroi Durmishi.
Për momentin, as Stojkovski dhe as Durmishi nuk deshën t’i zbulojnë emrat e kompanive të kredive të shpejta që kanë arkëtuar në mënyrë të paligjshme provizione nga qytetarët, me arsyetimin se procedurat inspektuese ende janë në zhvillim dhe se emrat e tyre do të publikohen pas përfundimit të të gjithë procedurës.
