
Të enjten, më 26 nëntor 2026 – Ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, dhe përfaqësuesit e ambasadave të shteteve anëtare të BE-së përcollën një mesazh të përbashkët kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave gjatë ndeshjes parakualifikuese të FIBA EuroBasket 2029 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qipros.
Në një shprehje të fuqishme solidariteti, ambasadorët qëndruan si #TeamEurope pranë mesazheve “NDAL FEMICIDIN” dhe “VISHE NDRYSHIMIN” (Wear the Change). Para fillimit të ndeshjes u mbajt gjithashtu një minutë heshtjeje në kujtim të grave që kanë humbur jetën si pasojë e femicidit dhe dhunës me bazë gjinore.
Ndeshja parakualifikuese e FIBA EuroBasket 2029 shërbeu si platformë për përmbylljen e fushatës “Vishe ndryshimin” (Wear the Change), të financuar nga BE-ja, përmes së cilës u promovua barazia gjinore në frymën e #TeamEurope, për të sfiduar qëndrimet ekzistuese dhe për të nxitur veprimin kolektiv.
Me këtë rast, ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, tha:
“Sonte, së bashku me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së dhe tifozët e pranishëm në ndeshjen parakualifikuese të EuroBasket-it ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Qipros, jemi të bashkuar kundër dhunës ndaj grave. Rastet e fundit të femicidit dhe të dhunës ndaj grave e kanë tronditur këtë vend.
Nuk mund të heshtim.
Gjatë gjithë vitit kemi punuar së bashku për të promovuar barazinë gjinore përmes fushatës sonë ‘Vishe ndryshimin’(Wear the Change). Prania jonë në një ndeshje basketbolli për meshkuj ka një qëllim. Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave, duhet të veprojnë edhe burrat. Baballarët, djemtë, vëllezërit, tifozët.
Na duhen ligje më të forta, zbatim efektiv i tyre dhe ndryshim i mentalitetit. Asnjë grua apo vajzë nuk duhet të jetojë me frikë. Të gjithë kemi një rol për të luajtur. Të gjithë duhet ta veshim ndryshimin.”
Duke përcjellë këtë mesazh në një ngjarje të rëndësishme sportive, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE-së theksuan se lufta kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave është një përgjegjësi e përbashkët që shkon përtej institucioneve dhe organizatave. Ajo kërkon angazhimin e mbarë shoqërisë, përfshirë burrat, të rinjtë, komunitetet sportive dhe tifozët.
T’i japim fund dhunës ndaj grave është përgjegjësi e secilit prej nesh. Vishe ndryshimin.
Videos: https://urldefense.com/v3/__https://www.swisstransfer.com/dl/01a21c25-ea82-77c2-b59c-d8ffead6233a__;!!IlxdEVI!GuHH_DkHAjnkDbLfw1lNwu-WYOTqXGp-BtT1QkdGXTHtecMW8gPN3ooi09G8hM9GdfjW_pVhzyxwGEPmqGMLv83z7g0D4nY4I3n8nkw$
Photos: https://urldefense.com/v3/__https://we.tl/t-jkHsd6fz4uJ2duUC__;!!IlxdEVI!GuHH_DkHAjnkDbLfw1lNwu-WYOTqXGp-BtT1QkdGXTHtecMW8gPN3ooi09G8hM9GdfjW_pVhzyxwGEPmqGMLv83z7g0D4nY47pJa_jg$
