Një grua është plaçkitur duke u kërcënuar me thikë në mes të Tetovës, teksa po pinte kafe para një kafiterie. Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë, ngjarja ka ndodhur më 26 nëntor, kur i dyshuari i është afruar gruas, e cila e kishte lënë çantën në karrigen pranë saj, dhe duke e kërcënuar me thikë ia ka marrë atë, përcjell TV21.
Gjatë largimit, i dyshuari ka nxjerrë nga çanta portofolin me 4.000 denarë, ndërsa çantën e ka hedhur në tokë. Më pas, duke vazhduar kërcënimet me thikë, është larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori publik ka nisur procedurë për veprën penale “Vjedhje e rëndë” dhe i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Tetovës caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
