Konsulli i nderit i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Imer Selmani, në një deklaratë për TV21, ka folur për procedurat e marrjes së nënshtetësisë shqiptare, duke theksuar se ato tashmë janë më të ndërlikuara krahasuar me vitet e ’90-ta.

Selmani ka shpjeguar se ndryshimet ligjore kanë sjellë disa filtra dhe procedura për dhënien e nënshtetësisë, ndërsa ka përmendur edhe detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, vendet që synojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë normat dhe standardet evropiane edhe sa i përket procedurave për dhënien e nënshtetësisë.

Megjithatë, Selmani ka theksuar se kjo çështje duhet të diskutohet edhe nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, duke ngritur pyetjen se sa prej tyre duhet të marrin nënshtetësinë shqiptare apo të vazhdojnë të mbajnë vetëm nënshtetësinë e vendit ku jetojnë.

Ai ka treguar se personalisht nuk posedon nënshtetësi shqiptare, por vetëm atë të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar lidhjen e tij familjare dhe historike me këtë vend.

“Unë për vete nuk kam nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë, kam nënshtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtu jam lindur, shtatë gjeneratat paraprake para meje janë lindur këtu”, është shprehur Selmani për TV21.

Ai ka shtuar se Maqedoninë e Veriut e konsideron shtetin ku duhet të vazhdojnë të jetojnë edhe gjeneratat e ardhshme të familjes së tij.

Selmani ka vlerësuar se çështja e nënshtetësisë shqiptare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut meriton një debat të hapur dhe konstruktiv.