Dy punonjës shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup janë sulmuar fizikisht në orët e para pas mesnatës, pas festimeve për 28 Nëntorin. Sipas burimeve të TV21, sulmi është kryer nga një grup prej rreth 15 personash, ndërsa punëtorët në atë moment ishin duke kryer detyrat e tyre të punës. Të lënduarit kanë përfunduar në Urgjencën e Shkupit. Sipas deklarimeve të viktimave, sulmuesit janë prezantuar si “Komitë”.

Për rastin ka reaguar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili ka theksuar se ekzistojnë dyshime serioze për motive etnike. Ai ka sqaruar se ngjarja fillimisht nuk ishte raportuar në polici dhe as institucioni shëndetësor ku të lënduarit kishin kërkuar ndihmë nuk kishte njoftuar organet e rendit. Pas denoncimit nga vetë viktimat në Stacionin Policor “Karposh”, policia ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka siguruar dëshmitarë të ngjarjes.

Iseni ka paralajmëruar se do të angazhohen të gjitha kapacitetet policore për identifikimin e autorëve, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj dhunës me motive etnike.“Ky rast nuk do të mbetet pa epilog. Çdo person që rezulton të ketë marrë pjesë në këtë sulm do të mbajë përgjegjësi para ligjit. Ligji do të veprojë. Dhunuesit do të identifikohen dhe do të ndëshkohen!”, ka theksuar Iseni.