Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Strimnicë të Maqedonisë së Veriut, transmeton TV21. Siç njoftohet në raportin ditor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një person ka humbur jetën si pasojë e flakëve që përfshinë shtëpinë ku banonte, ndërkaq rasti në polici është denoncuar pak para mesnatës që lamë pas.
“Më datë 18.11.2024 në ora 23.30 në SPB Tetove është denoncuar se në fshatin Strimnicë është shkaktuar zjarr në shtëpinë në pronësi të Z.Sh.(90) nga fshati Strimnicë, i cili ka banuar vetë në shtëpi. Nëpunësit policorë nga Sektori policor në Grupçin kanë dalë në vendin e ngjarjes, kurse ka intervenuar Njësiti territorial i kundërzjarrit në Tetovë, i cili në ora 00:20 e kanë gjetur të vdekur Z.Sh. Zjarri është shuar, kurse vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore”, qëndron mes tjerash në njoftimin e MPB-së.
Hetim në vend të ngjarjes ka kryer prokurori publik dhe ekipi i SPB Tetovë.
Foto: ilustrim
