Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, përmes një reagimi me shkrim ka dënuar sulmet në Kosovë që dëmtuan i kanalin e Ibër-Lepenc dhe ngjarjen me hedhjen e granatës në Komunën e Zveçanit.
“Janë akte të dhunshme terroriste që kanë për qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon. Dënoj ashpër këto përpjekje qyqare për të dëmtuar infrastrukturën jetike të furnizimit dhe për të nxitur frikë e pasiguri tek qytetarët. Mbështesim fuqishëm organet e shtetit të Kosovës në angazhimin e tyre për të mbrojtur rendin, sigurinë dhe sovranitetin e vendit”, shtoi Afrim Gashi, kryetar i kuvendit të RMV-së.
Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, duke folur për zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut me djegien e flamujve por edhe me aktin terrorist në Kosovë me shpërthimin në Ibër-Lepenc tha se rajon ka forca destruktive që kanë për synim të destabilizojnë.
“Ka tendenca në rajon për ta destabilizuar situatën, e njëjta ndodh në Mitrovicë me ujësjellësin, me aktin terrorist dhe po ashtu edhe këtu ka forca që duan të destabilizojnë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Edhe opozitarja BDI, duke reaguar për ngjarjet me djegien e flamujve, u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e strukturave që punojnë kundër paqes dhe stabilitetit të vendit por edhe gjithë Ballkanit Perëndimor. Nënkryetari integrist Bajram Rexhepi në veçanti foli edhe për ngjarjet në Kosovë.
“Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu dënon ashpër edhe sulmin terrorist për të dëmtuar infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës që ndodhi mbrëmjen e kaluar, duke besuar në kapacitetet e institucioneve të atjeshme që të sjellin para përgjegjësisë përgjegjësit e këtyre akteve kriminale”, pohoi Bajram Rexhepi, nënkryetar BDI.
Nga Fronti Europian, me reagim doli edhe kryetari i ASH-së Ziadin Sela, i cili në Facebook shkroi se përveç se akt terrorist dhe diversant, privimi nga furnizimi me ujë të pijshëm është edhe krim kundër njerëzimit. Më tej shton se Serbia në vend që të reflektojë pas vendimit të Kombeve të Bashkuara të majit të këtij viti për gjenocidin në Srebrenicë vazhdon me akte krimi kundër njerëzimit. “Komuniteti ndërkombëtar ashpër të reagoj dhe të sanksionoj shëmtinë e Ballkanit- Serbinë”, përfundoi Sela.

