Cristiano Ronaldo, siç e përshkruan ish-shoku i tij i skuadrës te Real Madridi, Rafael Van der Vaart, është “një makineri sportive perfekte”. Ish-mesfushori holandez ka theksuar madhështinë e CR7, i cili, sipas tij, ka qenë gjithmonë një hap përpara të tjerëve, deri në atë pikë sa “mosha për të është thjesht një numër”.
Ai gjithashtu ka zbuluar një detaj të çuditshëm, që ilustron plotësisht etikën e punës së Ronaldos: “Ai është i vetmi futbollist, shok skuadre me të cilin kam luajtur, që nuk ia kam parë kurrë organet gjenitale”.
Kjo deklaratë, edhe pse e shoqëruar me humor, ka për qëllim të theksojë profesionalizmin e jashtëzakonshëm të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Van der Vaart, që sot është trajner dhe drejtues sportiv, e thotë shpesh këtë anekdotë.
“Ai nuk dilte kurrë nga shtëpia. Gjithmonë e tregoj këtë barcaletë, – ka thënë në një intervistë për “TalkSport”. – Ronaldo është i vetmi bashkëlojtar që nuk ia kam parë kurrë organet gjenitale… Ishte gjithmonë i pari që vinte për stërvitje dhe i fundit që largohej”.
Rafael Van der Vaart dhe Cristiano Ronaldo kanë luajtur bashkë vetëm për një sezon. Karrierat e tyre u kryqëzuan në “Bernabeu”, kur Ronaldo iu bashkua Real Madridit në vitin 2009 për një shifër rekord prej 100 milionë eurosh. Ndërkohë, Van der Vaart, që ishte pjesë e “Los Blancos” nga viti 2008, u transferua te Tottenham Hotspur në gusht 2010.
Edhe pse atë vit Real Madridi nuk fitoi asnjë trofe, Van der Vaart pati mundësinë të vlerësonte madhështinë e CR7: “Ai ishte përpara kohës kur luante. Gjërat që lojtarët i bëjnë sot, ai i bënte vite më parë. Ushtrimet në palestër, dieta dhe gjumi për të ishin më të rëndësishme se stërvitja në fushë me të tjerët”.
Ronaldo vazhdon të mahnitë edhe sot me fanellën e klubit saudit Al Nassr. Së fundi ka shënuar penalltinë e tij të 200-të në karrierë, duke regjistruar golin e 914-t, teksa po ndjek ëndrrën e madhe për të shënuar 1.000 gola në karrierë. Të gjitha këto, në prag të moshës 40-vjeçare. Ndërkohë, Van der Vaart, vetëm dy vite më i madh se Ronaldo, e ka lënë futbollin që nga viti 2018: “Për Cristianon, mosha është thjesht një numër… Fiziku i tij sot, uau! Ai është një makineri”.
Për ta përmbyllur, Van der Vaart ndau edhe një detaj tjetër për personalitetin e Ronaldos, që e ka bërë atë një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit: “Ai ka qenë gjithmonë një lojtar jashtëzakonisht egoist. Nëse fitonim 6-0 dhe ai nuk shënonte, nuk ishte kurrë i lumtur. Nëse shënonte 2 gola vetë dhe skuadra humbiste, i dukej në rregull. Ishte si Ruud van Nistelrooy, një tjetër lojtar që mendonte vetëm për objektivat e tij personalë”.
The post Van der Vaart për përkushtimin maniakal të CR7: I vetmi shok skuadre, që nuk ia kam parë kurrë organet gjenitale appeared first on Telesport.
