Së paku edhe për tre vite, udhëtarët që kalojnë përmes rrugës Prilep-Manastir dhe anasjelltas duhet të lëvizin në kolona të gjata, pasi ky aks rrugor vazhdon të mbetet kantier ndërtimi. Projekti prej 40 kilometrash i Korridorit 10-D ende është në fazën e parë të trasesë, ndërsa qarkullimi i automjeteve nga rruga e vjetër alternative, që kalon nëpër fshatra, bëhet me vështirësi dhe ngadalësi.

“Në një nga pikat e punimeve të segmentit rrugor në autostradën Prilep-Manastir, po punohet me intensitet të ulët. Prapa meje po shihen makineri, të cilat nuk lëvizin nga vendi dhe vetëm pak punëtor, të cilët në këto momente janë duke punuar. Megjithëse, afati është deri në 2027-ën, mbetet për tu parë nëse arrihet ky afat”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.

Кorridori 10-D ngeci në punime gjatë gjithë verës, ngaqë në trasenë e saj ndërmjet Prilepit dhe Manastirit, në një segment prej qindra hektarësh janë detektuar mjete eksplozivi nga luftërat e kaluara.

“Materialet shpërthyese duhet të hiqen nga një sipërfaqe afërsisht 500 hektarësh. Trase, e cila ka rritur shumë çmimin. Deri më tani janë siguruar mbi 100 hektarë, ku nga njësiti anti-minim i ARM-së janë gjetur dhe janë hequr rreth 20 mijë objekte potencialisht shpërthyese në një fushë që historikisht është e mbushur me mbetje eksplozive nga Luftërat Ballkanike, si dhe Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.”, thonë nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore”.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se në segmentin prej gjashtë kilometrash janë duke u shpronësuar parcelat private, ku 850 nga gjithsej 1300 parcela kadastrale tashmë janë të siguruara për projektin dhe kanë mbetur edhe 450 prona të banorëve të zonës të kalojnë në emër të shtetit.

“Me përfundimin e autostradës nga Prilepi në Manastir, si dhe me hapjen e autostradës nga Gradsko në Prilep, e cila aktualisht po ndërtohet në tre seksione, koha e udhëtimit do të reduktohet. Pjesa Gradsko-Drenovë pritet të jetë gati deri në fund të vitit, Drenovë-Farish në mars, ndërsa pjesa e fundit për Prilep deri në fund të vitit të ardhshëm. Pas tre vitesh udhëtimi nga Shkupi në Prilep do të zgjasë rreth një orë e dhjetë minuta, dhe nga Shkupi në Manastir rreth një orë e gjysmë. Kjo do të ketë efekte pozitive në ekonomi, komunikime dhe përparimin e rajonit.”, theksojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Konzorciumi amerikano-turk “Bechtel-Enka” përveç këtij projekti 40 kilometërsh Prilep-Manastir, ndryshe i njohur si segmenti D i Korridorit 10, është në fillet e ndërtimit edhe të Korridorit 8, i cili do të shtrihet në një gjatësi prej 68 kilometrash, që pritet të jetë një autostradë me 6 korsi. Sipas projektit do të lidhet Tetova me Gostivarin dhe Kërçovën, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë. Edhe në këto akse ka fare pak progres në punime, ngaqë sipas konzorciumit ka mungesë të theksuar të punëtorëve. Kornizat ligjore tani më janë definuar dhe tani po rrjedh edhe viti i dytë që nga gurëthemeli i bërë më 2023. Të dy projektet taksapaguesve do tu kushtojnë 1,3 miliard euro për “Bechtel-Enka” dhe rreth 300 milionë euro tjera për kompaninë mbikëqyrëse të projektit, i cili me shumë gjasë do të ketë edhe ankes-marrëveshje.