Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi që të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për Gjuhët, ndërkaq  kërkoi të ketë seancë për debat me ekspertë dhe parti politike. Osmani thotë se me këtë vendim, siç e quan ai, vazhdon agonia.

“Një betejë u fitua sot, por agonia vazhdon. Gjykata Kushtetuese, në përbërje monoetnike, zhvilloi një seancë për një nga çështjet më delikate që lidhen me demokracinë tonë multietnike dhe vendosi të vazhdon me presionin ndaj gjuhës shqipe. Ky akt rijujton të kaluarën dhe kërcënon të ardhmen tonë të përbashkët. E ardhmja jonë duhet të ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë, solidaritetin dhe tolerancën. Le të mos lejojmë që plagët e së kaluarës të na pengojnë të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të bashkuar për të gjithë! U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vullnetit të mirë – maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarë të tjerë të komuniteteve – të ngremë zërin kundër këtij veprimi që rrezikon kohezionin tonë shoqëror”, ka shkruar Osmani.