LSDM ka reaguar për propozimligjin e paralajmëruar për Prokurime Publike të dorëzuar nga një grup deputetësh të shumicës parlamentare, përcjell TV21. Deputeti Fatmir Bytyqi tha se konsiderojnë se është alarmant trendi i sjelljes së ligjeve me procedurë të shkurtuar dhe gjithnjë hap derë për manipulime. Me këtë propozim, Bytyqi tha se ka një përpjekje për ndryshimin e komisionit për ankesa, merren kompetencat e byrosë dhe shfuqizohet dispozita për transparencë.

“Kur ligjet sillen pa konsultime me palët e prekura, pa debat të hapur dhe publik, procesi e humb legjitimitetin e tij demokratik, pikërisht kjo ndodh me propozim ndryshimet e ligjit për prokurime publike për të cilin dëgjojmë kritika të shumta nga sektori qytetar dhe të gjitha format e tjera që ndjekin paraqitjet e korrupsionit”, tha Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.