Shkup – VLEN vazhdon të përballet me pikëpyetje për rolin dhe ndikimin e tij në pushtetin lokal të Shkupit. Përderisa kjo parti është pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në, vendimet e fundit të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, tregojnë se në tri ndërmarrje publike drejtuesit janë ndërruar pa u përfshirë asnjë emër shqiptar në këto emërime.

Bëhet fjalë për ndërmarrjet publike „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“, „Higjiena Komunale“ dhe „Rrugë dhe Rrugica“.

Sipas dokumenteve zyrtare, Gjorgjievski ka emëruar Ivan Mitrovskin në „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“, Dragi Mitkovskin në „Higjiena Komunale“ dhe Boris Nastovin në „Rrugë dhe Rrugica“.

Pra, tre pozita drejtuese, tre emërime dhe asnjë shqiptar!

Kjo situatë e vë në pikëpyetje serioze rolin e VLEN-it në koalicionin lokal me VMRO-DPMNE-në. Nëse VLEN është pjesë e pushtetit në Shkup, atëherë ku është ndikimi i tij në vendimmarrje dhe ku mbeti përfaqësimi shqiptar në ndërmarrjet publike?

A është VLEN vetëm pjesë e numrave të koalicionit, ndërsa vendimet dhe pozitat drejtuese i kontrollon VMRO-DPMNE-ja?

Në vend që të dëshmojë ndikimin e tij në institucionet e kryeqytetit, VLEN përballet me një tjetër rast ku emërimet bëhen pa asnjë shqiptar në tri ndërmarrje publike. Ndërsa VMRO-DPMNE-ja vazhdon me emërimet e saj, VLEN mbetet pa një rezultat të dukshëm në këto pozita.

Në fund, pyetja mbetet: Për çfarë përfaqësimi shqiptar në Shkup flet VLEN-i, kur në tri emërime të rëndësishme nuk figuron asnjë shqiptar?

The post 🔴 Gjorgjievski e lë VLEN-in jashtë, VLEN-i në pushtet vetëm në letër? Tre drejtorë ndërrohen, asnjë shqiptar në rotacion! first appeared on .