Vera që po largohet ka qenë jashtëzakonisht e nxehtë, veçanërisht në Evropën Perëndimore dhe Jugperëndimore, ku janë regjistruar disa valë të njëpasnjëshme të të nxehtit ekstrem.
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në ngrohjen e ndjeshme të Detit Mesdhe. Sipas meteorologëve, kjo situatë mund të ketë pasoja edhe për Ballkanin gjatë muajve të vjeshtës.
Një Mesdhe më i ngrohtë mund të favorizojë zhvillimin e cikloneve më të fuqishme, të cilat në kushte të caktuara mund të sjellin reshje të dendura dhe të rrëmbyeshme në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Parashikimet afatgjata lënë mundësinë që gjatë kësaj vjeshte reshjet në disa pjesë të Ballkanit dhe Maqedonisë së Veriut të jenë mbi mesataren.
Në rast se reshjet intensive përsëriten brenda një periudhe të shkurtër, mund të rritet rreziku për vërshime, përmbytje dhe probleme të tjera të lidhura me motin ekstrem.
Meteorologu Sllavço Poposki u bën thirrje qytetarëve që të jenë të përgatitur dhe të ndjekin rregullisht parashikimet dhe paralajmërimet zyrtare meteorologjike.
Sipas tij, ndryshimet e shpejta të motit dhe mundësia për reshje të fuqishme kërkojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat që janë më të ekspozuara ndaj vërshimeve.
Monitor MK do të ndjekë në vazhdimësi zhvillimet e motit dhe paralajmërimet meteorologjike për Maqedoninë e Veriut.
