Policia në Ferizaj njofton se një djalosh 10-vjeçar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente në rrugën “Enver Topalli” të cilat i ka dorëzuar në stacionin policor të kësaj komune.

Sipas njoftimit të Policisë, në portofol ishin më shumë se një mijë euro të holla.

“Në portofol janë gjetur dokumente personale, si dhe 1130 euro, 20 franga zvicerane dhe 130 denarë maqedonas. Pas verifikimit, policia ka arritur të identifikojë dhe të kontaktojë pronarin, B.B. nga Kaçaniku, i cili është paraqitur menjëherë në stacionin policor dhe ka konfirmuar se të gjitha sendet dhe paratë ishin të paprekura, të cilat i janë kthyer me procesverbal”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht djaloshin E. D. për këtë veprim human, edukativ dhe shembullor dhe sipas tyre ky gjest do duhej të ishte frymëzues edhe për të tjerët.