Gjykata Penale në Shkup i caktoi paraburgim 30-ditor Vase Anakievit, drejtor i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, i dyshuar për marrje ryshfeti. Ai u kap me këstin e parë prej 50.000 euro nga shuma e kërkuar nga një kompani që ishte përballur me probleme “të papritura” gjatë importit. Konkretisht, palës së dëmtuar i është thënë se për mallin që importon ka ndalim për hyrje dhe se duhet të kthehet, pasi nuk është në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe se më parë nga Inspektorati për Bujqësi është përpiluar procesverbal. Dërgesa ishte bllokuar në kufi për ditë të tëra, duke krijuar presion të drejtpërdrejtë financiar. Kur kompania ka kërkuar shpjegim, drejtori kërkoi ryshfet për “zgjidhjen e problemit”.
“Me qëllim që importi të realizohet pa pengesa, palës së dëmtuar i janë kërkuar 100.000 euro, të cilat duhej t’i dorëzonte në tri këste, edhe atë në një rast shumën prej 50.000 euro dhe në dy raste nga 25.000 euro”, thotë MPB.
Ky skandal ka ngjallur reagime të shumta politike. Opozitarja LSDM kritikat po i adreson tek Qeveria dhe partia në pushtet VMRO-DPMNE, duke pyetur se kush tjetër nga pushteti është i përfshirë në skandal?
“Nuk mund të ketë kaq shumë korrupsion në nivelet më të ulëta, ndërsa ata nga maja në Ministri dhe në Qeverinë më të korruptuar të Mickoskit të mos e kenë ditur. LSDM kërkon një hetim të thellë që do të përcaktojë përgjegjësi nga i pari deri te i fundit”, thotë LSDM.
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM-ja gëzohet si një fëmijë kur i japin biskota, sa herë kur ndodh ndonjë krim apo korrupsion që në ndonjë formë lidhet me VMRO-DPMNE! Ripërsëritën qëndrimin se çdokush para ligjit është i barabartë.
“Secili që ka shkelur ligjin, pa marrë parasysh nëse është nga LSDM, VMRO-DPMNE, apo ndonjë parti tjetër politike, duhet të përgjigjet. Të gjithë duhet të jemi të barabartë para ligjit dhe me ligjin nuk ka lojë”, deklaroi Valentin Manasievski.
Përndryshe, i arrestuari për ryshfet Anakiev është funksionar shumëvjeçar dhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Maqedonisë, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës. Partia Socialiste bëri thirrje që institucionet të veprojnë në përputhje me ligjin, por kritikoi “stigmatizimin partiak” dhe publikimin e fotografive nga arrestimi.
Ky është rasti i dytë me ryshfet në sektorin e bujqësisë muajve të fundit. Në nëntor 2025 u arrestua drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilija Stoilev, i dyshuar për ryshfet prej 50.000 euro për të mundësuar përdorimin e fondeve IPARD.
