Manastiri ishte sot në qendër të vëmendjes! Hyrje-dalje të shumta kishte në Shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe. Takuam shumë qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, por edhe nga diaspora, që kishin ardhur për të vizituar qytetin e konsujve dhe për të parë nga afër shtëpinë ku 117 vjet më parë u vulos alfabeti i gjuhës shqipe.
Shtëpia-muze u vizitua edhe nga zyrtarë të ndryshëm. Këtu takua edhe ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë së Veriut, Denion Meidani, i cili apeloi që të gjithë duhet të kujdesen për këtë shtëpi, e cila ka një vlerë të madhe për popullin shqiptar.
Dita e Alfabetit u shënua me aktivitete të ndryshme gjatë këtyre dy ditëve, ndërsa shënimi mbyllet sonte me ngjarjen qendrore në Pallatin e Kulturës në Manastir ku marrin pjesë personalitete të rëndësishme publike, përfshirë kryeministrin e Kosovës, përfaqësues të familja Jashari nga Prekazi, kryetari bashkësisë Hora e Arbëreshëve, përfaqësues të institucioneve vendore, diplomatë dhe personalitete nga fusha e kulturës dhe arsimit.
