Qytetarët tanë meritojnë perspektivë evropiane në të cilën do të mund të besojnë dhe rrugë në të cilën do të ecin kryelartë, porositi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në akademinë solemne në shënimin e Ditës së formimit të organizatës revolucionare maqedonase – VMRO. Megjithatë tha se populli tashmë është tepër i lodhur për shkak të pritjes së gjatë para derës së Bashkimit Evropian.

“E kalojmë jo vetëm rrugën më të vështirë por edhe më të gjatë drejt Bashkimit Evropian të ngarkuar me shumë heqje dorë, zhvendosje dhe goditje të padrejtë. Të mëdhenjtë bëjnë atë që duan e të paktët në numër atë që duhet. Dhe kjo nuk është flluskë nga librat por pjesë nga politika reale sot. Por edhe pse shumëkush tashmë është skeptik dhe i lodhur nga kushtet, kriteret, kontestet dypalëshe do të duhet të jemi të urtë”, tha Mickoski.

Mickoski theksoi se është me rëndësi të hyjmë në Bashkimin Evropian dhe në tryezë të përbashkët të jemi të barabartë me shtetet e tjera, veçanërisht për shkak të fqinjit tonë lindor të cilin e quajti rrobaqepës të historisë. Me këtë rast ai vërejti se Evropa po bëhet gjithnjë e më e trazuar, në shumë shtete ka protesta gjithnjë e më të stuhishme, ndërsa paralajmëroi edhe për provokime të mundshme edhe në vend duke përmendur këtu opozitën.

“E në Ballkan shërbimet asnjëherë nuk pushojnë së punuari. Dhe nuk do të më çudisë nëse ka edhe nga ata që do të përpiqen të na përfshijnë në problemet e tyre apo të bartin një pjesë të ambientit të tyre në përditshmërinë tonë. E sa u përket aktorëve vendorë për një lojë të tillë kjo është shumë e lehtë. Ka disa nga opozita që për para dhe premtime të rreme për kolltuk dinë të bëjnë mrekulli. Dhe prandaj është shumë e rëndësishme që populli të jetë me vetëdije të lartë të mos bjerë në provokime të ndryshme dhe të mos imponohen çështje artificiale apo tema etnike të hiperbolizuara”, u shpreh Mickoski.

Dita e organizatës revolucionare maqedonase 23 Tetori shënohet pasi para 133 viteve në Selanik u themelua Organizata Revolucionare Brenda Maqedonase-Odrine nga Dame Gruevi, Hristo Tatarçevi, Petar Pop-Arsovi, Anton Dimitrovi, Hristo Batandxhievi dhe Ivan Haxhi Nikollovi.