Në Spitalin Klinik të Tetovës u ndanë 145 vendime pune për kuadrin shëndetësor që me vite ka punuar pa status të rregulluar. Të pranishëm në ceremoni ishin liderët e VLEN-it, zëvendëskryeministri, si dhe vetë ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Ky i fundit tha se këto vendime ishin të domosdoshme për funksionimin e spitalit dhe stabilizimin e kuadrit. Ai theksoi se me këtë hap po zgjidhet përfundimisht statusi i punonjësve që me vite kanë punuar me kontrata në vepër në nivel vendi.

“Me këtë hap po përmbyllim projektin për punësimin e 1.150 punonjësve me kontratë në vepër që ishin në të gjithë vendin. Pas një deri në dy muajsh do të vijojë përmbyllja e projektit të dytë për punësimin e 600 specializantëve. Pra, mbetet që brenda këtij viti të realizojmë 300 punësime për specializantët, ku 22 specializantë do të punësohen në Spitalin Klinik të Tetovës. Me këtë vlerësojmë se do të bëjmë një përforcim të ndjeshëm të kuadrit njerëzor në Spitalin Klinik të Tetovës, gjë që është e domosdoshme për punën e tij të suksesshme”, tha Klekovski.

Nga ana tjetër, drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Shkëlzen Elezi, nënvizoi se përveç investimeve në aparaturë, spitalit i nevojitet mbi të gjitha kuadër i kualifikuar. Ai rikujtoi se këta punonjës kanë punuar për më shumë se një dekadë me kontrata në vepër, ndërsa njoftoi se gjatë muajit shtator pritet hapja e konkurseve të reja për 25 administratorë, 12 punonjës teknikë dhe 22 specializantë.

 “Sot është një ditë historike për Spitalin Klinik të Tetovës. Ashtu siç premtuam prej marrjes së mandatit për realizimin e këtij konkursi, edhe bashkë me ekipin tonë ia arritëm qëllimit. Me 145 punësime të Spitalit Klinik të Tetovës arrihet qëllimi dhe funksionimi i kompleti i Spitalit Klinik të Tetovës. Tani jemi në procedurë e sipër, mendojmë deri në shtator hapet edhe konkursi për 25 administratorë, 12 punonjës teknikë në Spitalin Klinik të Tetovës. Mendoj se me këtë numër do ja arrijmë edhe qëllimeve tona për të arritur në majat e asaj që mendojmë edhe ne që të bëjmë edhe klinikën universitare”, deklaroi Elezi.

Këta të punësuar kanë më shumë se 10 vite që punojnë me kontrata në vepër, ndërsa shpesh kanë dalë edhe në protesta për shkak të vonesave të pagave dhe mosvazhdimit të kontratave të tyre.