155 motrat medicinale në Tetovë mbesin pa punë, nuk u jepet vendimi

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka reaguar sot në lidhje me vendimin për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës.

Sipas BDI-së, një vendim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe politikisht i motivuar, por bart në vete edhe elemente të diskriminimit të hapur etnik dhe gjinor

“Në vend që të vlerësohet profesionalizmi dhe sakrifica e këtyre punonjëseve, shumë prej të cilave ishin në vijën e parë të përballjes me pandeminë, atyre u është kthyer shpina në mënyrën më të padenjë të mundshme.

BDI, si parti shtetformuese që ka kontribuar në ndërtimin e sistemit të barabartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e konsideron këtë vendim një precedent të rrezikshëm, që dëmton seriozisht besimin në institucionet shtetërore, minon themelet e bashkëjetesës dhe rikthen logjikën përjashtuese të së kaluarës.

Është e papranueshme që në një shtet që aspiron integrimin evropian, të përjashtohen me një të rënë të lapsit 155 nëna e motra shqiptare, për shkak të një qasjeje të mbyllur, të politizuar dhe të verbër ndaj realitetit shoqëror të vendit”, reagon BDI.

Kjo parti kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rivendosjen e punonjëseve në vendet e tyre të punës me karakter të përhershëm.

“Qeveria aktuale duhet të kuptojë se luajtja me fatin e njerëzve dhe me dinjitetin e gruas nuk do të kalojë pa pasoja politike. Heshtja nuk është më opsion. Reagimi qytetar është i pashmangshëm, dhe ai do të jetë masiv dhe i drejtë në mbrojtje të barazisë, dinjitetit dhe të drejtës për të punuar në vendin tënd, pa frikë dhe pa përjashtim”, thekson BDI.