Me rastin e 2 Gushtit, Ditës së Republikës, partitë shqiptare VLEN dhe BDI kanë përcjellë mesazhe me thekse të ndryshme.

VLEN uron qytetarët për festën, duke vlerësuar se kjo datë simbolizon lirinë, barazinë dhe drejtësinë, ndërsa bën thirrje për ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit, forcimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.

“Me rastin e 2 Gushtit, Ditës së Republikës, ua urojmë festën të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë na kujton përpjekjet historike për liri, barazi dhe drejtësi, vlera mbi të cilat mbështetet Republika jonë dhe që përcaktojnë karakterin e saj multietnik. Kjo festë është edhe një mundësi për të reflektuar mbi rrugën që kemi kaluar së bashku si shtet dhe si shoqëri, për të forcuar mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe përkushtimin ndaj së mirës së përgjithshme, pavarësisht dallimeve etnike, fetare apo politike”, thonë nga VLEN.

Në anën tjetër, BDI thekson se fryma e Krushevës po zbehet dhe akuzon se shqiptarët po margjinalizohen në institucionet shtetërore.

“Fryma e Krushevës ishte një thirrje për një shtet ku shqiptarët, maqedonasit dhe të gjitha bashkësitë të ndanin përgjegjësinë dhe fatin e përbashkët.

Fatkeqësisht, pas më shumë se një shekulli, në vend që t’i afrohemi atij ideali, po largohemi prej tij. Në vend të partneritetit po rikthehet logjika e dominimit, ndërsa në vend të përfshirjes po thellohet përjashtimi. Shqiptarët po margjinalizohen në institucionet e shtetit, në administratë, diplomaci, siguri, drejtësi, arsim, kulturë, shëndetësi, ekonomi dhe në proceset vendimmarrëse që përcaktojnë të ardhmen e vendit”, thonë nga BDI.

BDI shpreh shqetësim për, siç thotë, dobësimin e Marrëveshjes së Ohrit, sulmet ndaj gjuhës shqipe dhe përfaqësimit të drejtë, ndërsa thekson se mbetet e përkushtuar për një Maqedoni të Veriut demokratike, të barabartë dhe të integruar në Bashkimin Evropian.